”Gati për Shqipërinë”, Rama flet me një tjetër grup aplikantësh: Interes për të kontribuar dhe kurajo për të punuar

Edhe ditën e sotme kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me një tjetër grup aplikantësh që janë pjesë e nismës ”Gati për Shqipërinë”. Rama tha se ky cikël sesionesh online sipas fushave i mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorojnë mundësitë e format e bashkëpunimit me ta. ”Kemi nisur këtë cikël kontaktesh, dhe pas këtyre sesioneve, sipas kategorive, eksperiencës së profesionit në çdo fushë do realizohen takimet përkatëse me ministrat përkatës, për të patur një diskutim pak më të detajuar me secilin, që pastaj të shikojmë se si mund të përfshiheni, kush mund të përfshihet ku”,-tha Rama.

Aplikantja e parë Asunta Toromani, e cila ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, masterin e shkencave për ndryshim social dhe të sjelljes, tha se “kam shërbyer si asistente pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe do të isha e interesuar të jepja kontributin tim”. Një tjetër aplikant nga Kosova që jeton në Zvicër u shpreh se “kam përfunduar studimet e doktoraturës në Zvicër, ku jap mësim edhe në një institucion akademik në Zyrih . Tema imë në këtë takim do të ishte krijimi i një ekosistemi biznesi për biznesmenët shqiptarë”. Ardi Sehitllari nga Pogradeci, i cili jeton prej 10 vitesh në Mbretërinë e Bashkuar ka studiuar dhe është diplomuar në Financë Kontabilitet në univerisitetet më të mira tha se “mendoj se është koha e duhur për të prezantuar dhe instaluar sistemin dixhital login dhe log out për punonjësit në momentin kur fillon puna”.

Një tjetër aplikante, Saimira Gjapi, që po ndjek studimet e thelluara për Doktoraturë në Universitetin “Aristotel” të Selanikut, Greqi, theksoi: ‘Kam kryer studimet bachelor si specialiste e gjuhës greke në departamentin e gjuhëve sllave ballkanike në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Në 2009 Ministria e Arsimit të Greqisë nëpërmjet ambasadës greke më akordoi një bursë në Fakultetin Aristoteli të Selanikut, ku tashmë po ndjek dhe studimet e thelluara për Doktoraturë për Letërsi të Krahasuar. Projektin tuaj e shikoj si një mundësi për të dhënë kontribut sa i përket fushës kërkimore shkencore në gamën e gjerë të letrave greke dhe shqipe, kryesisht në aspketin hulumtues”.

Një tjetër i ri shqiptaro-amerikan që jeton mes Nju Jorkut dhe Tiranës thekson se studimet bachelor i ka kryer për shkencat politike dhe administratë publike pjesërisht në Shqipëri dhe në Teksas të SHBA-së. ”Studimet master i kam përfunduar për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare Gjatë kësaj periudhe kam qenë i angazhuar si asistent lektor në departamentin e diplomacisë dhe si kërkues shkencor . Kam punuar si koordinator pranë qendrës prestigjioze të OKB në Nju Jork. Shpreh gatishmërinë për të punuar në ato sfera të ekspertizës time me shumë dëshirë si amerikan dhe me mbi të gjitha si shqiptar më lejoni të shpreh dëshirën për tu kthyer me bindjen se Shqipëria bëhet jo thjesht si eufeizëm, ajo bëhet në praktikë. Ndaj jam mëse gati për Shqipërinë”.

Një tjetër aplikante Erisa Pëllumbi, që jeton prej 15 vitesh në Modena, Itali, theksoi se ”kam përfunduar studimet për drejtësi në ciklin pesëvjeçar, pas të cilit u specializova në një shkollë dy vjeçare në profesionet ligjore. Prej 5 vitesh punoj në një kompani si juriste e brendshme në veçanti si juriste e të dhënave personale. Do të doja të jepja kontributin tim në fushën e drejtësisë”.

Ana, 26 vjeçare shprehet se ”aktualisht jetoj në Bruksel dhe jam kthyer në Shqipëri për pushimet e verës. Unë marr frymë shqip dhe çdo sekondë mendoj në funksion të Shqipërisë. Kam mbaruar Inxhinieri Ndërtimi , por për shkak të angazhimeve të ndryshme në fushën e marrëdhënieve me jashtë jam në përfundim të studimeve për master ekzekutiv, qeverisje dhe politika zhvillimi, në shkollën Diplomatike në Bruksel. Më parë kam patur fatin të punoj në krah të grupit social demokrat në Parlamentin Europian në komisioni për marrëdhëniet me jashtë dhe politikat e zhvillimit të qëndrueshëm”.

Alfred Karai që ka 20 vite që jeton në Francë ku ka studiuar për drejtësi dhe ka bërë edhe masteret, tha se “aktualisht punoj si nëndrejtor në një kompani që merret me strehimin e personave që janë në procedurë azili dhe do të dëshiroja që të kthehesha në Shqipëri, për një vit ose dy vite ose edhe për me shumë vite”. Një tjetër aplikant nga Peja, Kosovë, u shpreh se ”kam 22 vite që jetoj në Belgjikë, kam përfunduar studimet në Kontabilitet dhe kam punuar në disa zyra kontabiliteti. Kam 5 vite që jam i vetëpunësuar. Kam treguar interesimin tim në dy fusha në përmirësimin e sistemit tatimor shqiptar”.

Valdrin Shehu nga Kosova, tha se “ka dy vite që jetoj në Norvegji dhe sapo kam mbaruar masterin e tretë në industrinë e transportit global me anije. Dy javët e ardhshme do të jem në Shqipëri dhe nga afër do kisha dëshirë të prezantoja një projekt , i cili është i gatshëm për implementim dhe ka të bëjë me digjitalizimin e sistemit“. Jurgen Zerka, i cili jeton në Belgjikë prej shumë vitesh tha se “jam diplomuar në financë dhe kam 5 vjet që punoj në Luksemburg në një nga fondet e investimeve më të mëdha në botë. Jam i gatshëm të kontribuoj nga këtu në çdo projekt për pronat e paluajtshme”.

Në fund të bashkëbisedimit, kryeministri Rama tha se “më vjen shumë mirë që na jepet kjo mundësi që të kemi një numër shumë të madh nga unë çfarë e prisja njerëzit si ju që kanë një interes për të kontribuar dhe kanë kurajon që ta bëjnë këtë gjë nuk ia la lënë fjalën se aty s’ta hap derën njeri se aty s’të përfill njeri pavarësisht se kjo mund të jetë e vërtetë, pasi për fat të keq ndodhin edhe këto. Faleminderit për besimin se unë e konsideroj një çështje besimi”.

SHKARKO APP