Gazetarët u bllokuan në kufi nga Greqia, Blendi Fevziu: Skandaloze dhe absolutisht primitive
Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar i irrituar për ngjarjen në kufi, ku gazetarët shqiptarë u mbajtën peng për tre orë nga efektivët helenë. Ai e konsideron ndalimin e gazetarëve në kufi dhe privimin për të ushtruar detyrën një sjellje primitive të autoriteteve në Athinë, të cilat shkelin çdo të drejtë dhe liri të individëve.
“Është e papranueshme, e patolerueshme, skandaloze dhe absolutisht primitive që një shtet anëtar i Bashkimit Europian të bllokojë në kufi gazetarët që janë duke kryer detyrën e tyre. Është e patolerueshme që një vend i BE-së shkel të drejtën për informim, shkel të drejtën e njeriut, shkel të drejtën elementare të lëvizjes së çdo qytetari shqiptar.
Ngjarje të tilla mund të kesh, vonesa në kufi në vende diktatoriale, por që një vend i BE t’ju kërkojë gazetarëve shkresë nga Ministria e Jashtme apo letër shoqërimi, është të shkelësh çdo parim të lirisë së mediave dhe t’i kërkosh gazetarëve që të vihen nën tutelën politike.
Ndaj edhe njëherë insistoj, ajo që po ndodh në kufirin grek, është as më shumë e as më pak një gjest primitiv i një shteti në të cilin inati dhe mëria dominon mbi të drejtat dhe mbi parimet europiane”, shprehet Fevziu në një video të publikuar në rrjetin social Instagram.
View this post on Instagram