Gazetari Elton Qyno thirret nga SPAK, Berisha: Akt kriminal, është marrë peng dhe po tort*rohet
Sali Berisha ka reaguar fort për thirrjen e gazetarit Elton Qyno në SPAK, ku prej disa orësh u mor në pyetje nga prokurorët. Vetë Berisha e ka shfrytëzuar këtë mundësi të sulmojë SPAK-un, duke e quajtur si organizatë kriminale e narko-partisë. Dyshohet se Qyno është thirrur në SPAK lidhur me publikimin e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani në media.
Postimi i plotë nga Berisha
Stop terrorit nga Skapi i Partisë ndaj gazetarit të njohur Elton Qyno. Të dashur miq, në një atentat të vërtetë ndaj lirisë së mediave dhe terrori të pashembullt dhe torture psikoligjike, skapist të papërgjegjshëm të narko-partisë mbajnë që nga ora 10:00 e mëngjesit të ngujuar në zyrat e Skapit gazetarin e mirënjohur të Ora News, Elton Qyno. Ata i kërkojnë atij brutalisht të tregojë burimet e informacioneve që i shesin vetë.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal, pengmarrje të gazetarit Qyno dhe kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm si dhe ndëshkimin e rreptë ligjor të autorëve të këtij akti që përbën një atentat të rëndë ndaj lirisë së mediave dhe rrëmbim shtetëror të gazetarit Elton Qyno.
Ju bëjë thirrje mediave të vendit dhe atyre ndërkombëtare si dhe organizatave që merren me lirinë e mediave të solidarizohen me gazetarin Qyno dhe të dënojnë me ashpërsi narko-regjimin e Tiranës dhe skapin si vegël e tij.