Gazetari Hitaj për vulën e PD: Ra miti që drejtësia kontrollet nga Rama. Noka: Është haku i asaj që na takon
Debatet e sotme politike janë për vendimin që vula e PD-së i shkoi Sali Berishës. Gazetari Arbër Hitaj, thotë se me vendimin që dha Gjykata e Apelit për vulën e PD-së, u dëshmua se drejtësia nuk kontrollohet nga mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama. Deputeti i PD-së Flamur Noka, tha se për PD-në e Rithemelimit kjo nuk është një fitore, por kthim haku tek i zoti.
Arbër Hitaj: Gjykata foli dhe vendimi njihet. Më vjen mirë që ka qasje pozitive. Më vjen mirë që Basha tha se ne e njohim vendimin dhe nuk kemi çfarë të diskutojmë. Ra miti që drejtësia kontrollet nga mazhoranca. Ka shumë çështje që kanë shkuar në favor të opozitës. Kemi shumë gjyqtarë që po shkojnë në SPAK. Edhe disa personazhe që opozita ka thënë se nuk do shkojnë në burg, sot kanë telashe me drejtësinë. Drejtësia ka barrën që të nisë procesin, kur ka prova. Unë prisja që z Noka të sillej si fitues.
Flamur Noka: Nuk është fitore. Haka thjesht shkoi tek i zoti. Ju doni ta shisni si fitore që na dha gjykata, por jo. Ka vetëm një emër për gjithçka, Edi Rama.
Arbër Hitaj: Për kë e bëtë thirrjen që të vijnë të gjithë demokratët në PD? Ndryshoni reportor dhe kasetë, se thoni të njëjtat gjëra. Ju keni bërë qasje sot si humbës, shpresoj të kuptoni peshën politike që mbartni pas këtij vendimi.
Flamur Noka: Kur nuk ka çështje nuk ke pse përgjigjesh. Ne nuk jemi këtu për triumf, sot morëm një të drejtë që na është mohuar. PD ka humbur për dy vite shumë, janë mbajtur peng simbolet e PD-së. Ne na duhet të përballemi me mazhorancën, që t’i japim Shqipërisë një qeveri teknike.