Gazetari: Ky është shteti me fuqinë më të madhe të ndikimit në zgjedhjet në SHBA
Gazetari shqiptar në SHBA, Dorand Vojka thotë se Izraeli është fuqia më e madhe që ndërhyn në zgjedhjet në SHBA, përmes lobeve të tij. Për të Izraeli lobon për të 2 kandidatët që janë në garë, si për Donald Trump, ashtu edhe për Kamala Harris, pasi ka 2 grupime të ndryshme lobimi. Ai tha gjithashtu se duke qenë se Presidenti i SHBA-ve mund të konsiderohet njëkohësisht edhe si Presidenti i botës, ka pasur tentativa për të ndërhyrë në garë edhe nga shtete të tjera, si Rusia, Kina dhe Irani.
”Të dy kandidatët mbështesin Izraelin në luftën në Gaza dhe në këtë aspekt nuk do të ketë ndonjë ndryshim shumë të madh. Ata ndahen te lufta në Ukrainë. Normalisht që Presidenti që fiton në SHBA do të jetë gati Presidenti i botës, duke parë këtë superfuqi të SHBA-ve. Ndërhyrja këtu ka qenë e shumëfishtë.
Pra kemi pasur ndërhyrje nga ana e rusëve, që kanë Trump si kandidatin e preferuar si President, sepse është ai që kërkon që të mbarojë luftën në Ukrainë. Dhe Rusia atë do, një paqe në situatën e tanishme me Ukrainën, e cila do e nxirrte Rusinë në favor.
Kemi parë edhe nga ana e Izraelit, të përkrahë jashtzakonisht në të dyja anët. Izraeli është fuqia më e madhe që ndërhyn këtu në Amerikë përsa i përket politikës së jashtme në politikën amerikane me lobin e tij. Kemi parë që Izraeli të ndërhyjë në të dyja anët. Kemi një grup të lobimit izraelit pro Trump dhe një pro Harris. Ka pasur edhe tentativa nga Irani e Kina për të ndërhyrë në zgjedhje, por nuk kanë efekt te votuesi amerikan”, tha Vojka.