Gazetarja Anila Hoxha: Krimi i organizuar është katapultuar në biznes!
E ftuar në emisionin Arena nga Dritan Hila, në RTV ORA, gazetarja e njohur Anila Hoxha ka folur për krimin e organizuar në vendin tonë, dhe katapultimin e tij në fushën e biznesit.
Anila Hoxha: Vitet e fundit, disa emra të caktuar të cilët ne i dimë, të cilët ose merreshin me krime në fushën e trafikut të grave e vajzave, në trafikun e drogës, apo edhe trafiqe të tjera, këta u katapultuan në biznes, dhe ne shpesh këto 4 vitet e fundit kemi raportuar për vrasje të biznesmenëve, ku ne e dimë shumë mirë si u katapultuan nga bota e zezë dhe e nëndheshme e krimit të organizuar u katapultuan dhe morën imunitet në fushën e biznesit, dhe kjo gjë nuk duhet harruar asnjëherë.
Ka pasur vrasje biznesmenësh edhe dikur. Ajo që mua më shqetëson tek ky katapultim, është për shembull se krimi i pastron paratë në fushën e ndërtimit, dhe nuk është e nevojshme të jesh një ekonomist i zoti për të kuptuar qasjen e përditshme, si ka mundësi që në Tiranë dhe në të gjithë vendin nuk bien çmimet e apartamenteve, si ka mundësi se në disa biznese të caktuara, edhe në fushën e restoranteve, apo të kafeneve ka një lulëzim dhe shpërthim, kjo nuk do ekspert për ta kuptuar se krimi është me një këmbë në botën e gjobave, trafikut të drogës, dhe me një këmbë shumë të fortë në fushën e biznesit dhe investimeve, ashtu sikurse pamja e re e krimit në Shqipëri është fuqizimi i tij dhe vendosja e tij në vende të caktuara duket si përsëritje, dhe një refren, por ne kemi dhe e dimë, që krimi për shembull nga Vlora. ka hedhur bazamentin e tyre në qytete të caktuara, në Belgjikë, grupet nga Durrësi në Holandë, grupet tjera nga Durrësi deri në Britaninë e Madhe, dhe kjo përkthehet në përplasje shumë të madhe që ne i shohim të definuara me vrasje personash përditë.