Gazetarja çeke: Në Shqipëri bëra muajin e mjaltit, do të vij sërish

Bára Procházková është një gazetare e njohur në Çeki. Drejtuese e një emisioni politik në televizionin CT 24, ajo është një nga njerëzit më publikë në këtë vend.

E dashuruar me djalin që vuri kurorë dhe me bukuritë e Alpeve shqiptare, vitin e kaluar ajo zgjodhi të bëjë muajin e mjaltit pikërisht në Shqipëri. Por teksa përgatitej të vinte sërish në këtë verë, mësoi lajmin për vrasjen e dy bashkëkombasve pikërisht në malësitë ku ajo preferonte të shkonte.

Për gazetarin Roland Qafoku gjatë emisionit “Debati në Channel One”, Procházková tregoi sesi gazetares i duhej nga njëra anë të jepte lajmin e vrasjes së tyre dhe nga ana tjetër i duhej të përçonte në opinionin çek se ajo që ndodhi është një ngjarje e veçuar dhe se Shqipëria është një vend i sigurtë.

“Turistë çekë janë vrarë edhe në shtete të tjera si në Evropë, Azi, e Amerikë, kështu që kjo që ndodhi nuk është një ngjarje që na bën të ndryshojmë mendim për Shqipërinë”.

Gazetarja tejet e njohur në Çeki vlerëson punën e policisë, e cila brenda 30 orëve arriti të vërë në pranga autorin e krimit. Dhe për t’i përforcuar të gjitha këto që thotë, gazetarja çeke deklaron: “Më prisni në Shqipëri, shumë shpejt do të vij me pushime”. 

SHKARKO APP