Gazment Bardhi: Non-grata e dobëson PD-në, koha e debatit duhet të mbyllet
Kreu i ri i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi thotë se nuk ka pasur kontakt me Sali Berishën dhe se nuk ka shqetësim për t’u takuar me askënd, teksa shtoi se për hir të interesit publik do ulet në tryezë më cilindo opozitar. Sipas tij ajo që ka sjellë ndarjen me Berishën ka qenë përplasja e këtij të fundit me SHBA-në përmes statusit non-grata, gjë që e dobëson PD-në.
”Me Sali Berishën nuk kam pasur kontakt. Nuk kam shqetësim të takoj askënd për të biseduar. Ne ulemi me kundërshtarin tonë sepse interesi publik e kërkon këtë. Për interes publik unë do jem i detyruar të ulem me kundërshtarët e mi politikë. Përplasja me SHBA-në nuk e forcon PD-në, por e dobëson dhe unë nuk mund të jem në të njëjtën linjë. Askush nuk ka asgjë personale me askënd. Non-grata është qëndrim i SHBA-së dhe askush nga ne nuk e zhbën apo kundërshton.
Koha e debatit brenda PD-së duhet të mbyllet. Ky debati me vija të kuqe e ka futur PD-në në konflikt dhe të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e PD-së. Berisha duhet të japë shpjegime për qëndrimet e tij. Secili mban përgjegjësinë e tij mbi qëndrimet politike. Mbajtja gjallë e një konflikti në PD nuk ndihmojnë askënd. Zgjidhja për PD do ishte të kapërcenim veten dhe të bëhemi më mendjehapur për të parë se kush mund ta çojë para PD-në.
Kam dëgjuar kolegë që thonë se Berisha nuk duhet të tërhiqet, por koha e diskutimeve i ka lodhur demokratët dhe shqiptarët. Ne duhet të lexojmë rezultatin e 14 majit dhe të mbajmë në konsideratë atë që është i aftë regjimi i Edi Ramës të bëjë. Unë dua ta shoh PD-në me një ekip të ri dhe nuk ka nevojë për riciklime apo një individ që vendos për gjithçka”, u shpreh ai.