Genc Ruli: Rikthimi im është shenjë e hapjes së partisë. Na pret përplasja e madhe, por edhe fitorja më e madhe elektorale e PD
Genc Ruli, themelues i PD, ish-ministër dhe drejtues kryesor i forumeve të saj në periudha të ndryshme është bërë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve të kësaj partie. Ish-ministri i PD njihet për qëndrimet kritike që ka mbajtur ndaj Lulzim Bashës disa vite më parë. Por historia e përplasjeve mes Lulzim Bashës dhe Genc Rulit duket se tashmë i takon të kaluarës.
Ish-ministri ka dhënë sot prononcimin e parë për mediat nga selia e PD-së pas një shkëputje nga aktiviteti partiak. Prania e tij në PD dhe pjesëmarrja në komisionin që do të zgjedhë kandidatët është sipas Rulit shenja më domethënëse e hapjes së PD.
Në mesazhin e tij për qytetarët dhe demokratët, Genc Ruli u shpreh se ekipi i kandidatëve që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike do të garantojë një nga fitoret më të mëdha të kësaj force politike.
“Sot, kam bindjen e plotë se me veprimtarinë e PD-së, sidomos në dy vitet e fundit unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj dhe, për më tepër ndjehem i vlerësuar që unë mund të jap kontribut sot, në përzgjedhjet e një ekipi sa më cilësor kandidatësh, në atë që do të jetë, përplasja më e madhe elektorale, por pa dyshim një nga fitoret më të mëdha elektorale të PD-së”,- deklaroi Genc Ruli.
Ruli u shpreh se përbërja e komisionit të përzgjedhjes së kandidatëve është një gërshetim i gjeneratave të ndryshme në PD. “Është një komision që vepron, së pari mbi elementet e besimit që duhet të ketë e gjithë anëtarësia, elektorati i PD-së mbi të dhe besimit reciprok që duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit. Mendoj që, po t’i shohësh janë gjenerata të ndryshme të historisë politike të PD-së, që nga ata që janë themelues, nga ata që kanë aktivizim të mëvonshëm, por deri në nivelet më të larta të Partisë apo të shtetit dhe prurje më të reja në politikë”,- deklaroi Ruli.
Pyetje: Mund të shërbejë ky proces për rikthimin e zërave të cilët janë jashtë Partisë Demokratike për shkak të qëndrimeve të tyre?
Genc Ruli: Unë mendoj që ky proces është deklaruar nga vetë lidershipi i PD-së, nga vetë z. Basha, që është një politikë e hapjes. Unë vetëm jam një njeri që kam pasur tre vjet më parë qëndrime mjaft kritike ndaj lidershipit dhe z. Basha, për arsye se i gjykoja ndryshe proceset se si duhej të ishin zhvilluar proceset në atë kohë dhe besoj që edhe kjo ftesë që m’u bë mua, një nga njerëzit kritikë, është pikërisht shenjë e pjekurisë dhe mendjehapjes së PD-së sot.
Pyetje: Keni ndryshuar ju në këto tre vite, apo ka ndryshuar lidershipi i Partisë Demokratike?
Genc Ruli: Në historinë time kam qenë disa herë kritik me lidershipin e PD-së, ju jeni më të rinj për ta mbajtur mend në këto 30 vjet, dhe gjithmonë kur kam gjykuar që mendimi im, vlerësimi im, për situatat apo për njerëzit ka qenë i ndryshëm, për të ruajtur pavarësinë, për të ruajtur zërin tim qoftë edhe ai ndesh me lidershipin.
Sot, kam bindjen e plotë se me veprimtarinë e PD-së, sidomos në dy vitet e fundit unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj dhe, për më tepër ndjehem i vlerësuar që unë mund të jap kontribut sot, në përzgjedhjet e një ekipi sa më cilësor kandidatësh, në atë që do të jetë, përplasja më e madhe elektorale, por pa dyshim një nga fitoret më të mëdha elektorale të PD-së.