Gërdeci, Mediu: Asnjë fishek nuk shkonte pa u raportuar në NATO

Ish-ministri i Mbrojtjes, kreu i PR-së Fatmir Mediu ka kundërshtuar sërish akt-ekspertimin ekonomiko financiar për çështjen Gërdeci. Në një deklaratë për mediat pas procesit gjyqësor, Mediu theksoi se kjo nuk ka as logjikë ekonomike dhe as logjikë aritmetike. Duke iu përgjigjur pretendimit të ekspertëve, Mediu tha se asnjë fishek nuk shkonte pa u raportuar në NATO.

“Pretendimi është sipas ekspertëve që shefi i shtabit të përgjithshëm të FA dhe strukturat ushtarake nuk ishin në dijeni për transportin e municioneve. Ky është një operacion ushtarak dhe jo civil dhe si i tillë komandohet e zbatohet dhe raportohet dhe çdo ditë shkon në qendrën operacionale dhe përgatitej një raport jo vetëm për presidentin e kryeministrin dhe strukturat e NATO-s. Asnjë fishek nuk shkonte pa raportuar në NATO. Nuk ka patur asnjë gjë jashtë marrëdhënieve të transparencës dhe është bërë në zinxhirin politik e ushtarak. Çdo muaj komanda logjistike bën planin për transportin e municioneve”, u përgjigj Mediu.

Duke ironizuar akt-ekspertimin për demontimin e municioneve, Mediu thekson se në Poliçan nuk është bërë demontim fishekësh as para dhe as pas ngjarjes së Gërdecit, dhe kjo sipas tij është e provuar me vendim gjykate. ”Një akt absurd. Nuk ka as logjikë ekonomike as logjike aritmetike. Prokuroria ngre pretendimin që nëse këto do ishin shitur si municione luftarake, përfitimi i shtetit do të ishte më i madh. Nuk ka kuptim që një mall tregu të ketë një vlerë më të vogël se një mall i skaduar. Për ekspertët duket sikur municionet demontoheshin me frymën e shenjtë.

Kishte nevojë për kosto operative që në atë që ka paraqit SAC është 2.2 mln dhe realisht është 4. 19 mln. Është e provuar me vendim të gjykatës që në Poliçan nuk është bërë demontim fishekësh as para e as pas ngjarjes së Gërdecit. Absolutisht jo. Mbrapa është bërë demontim me djegie, jo mekanik. Shteti ka investuar 18 mln dollarë dhe ka dalë me humbje dhe për fishekët rreth 2 mln dollarë që janë kosto në buxhet. Ne kishim një detyrim nga marrëveshja që demontimi të mbaronte brenda vitit 2006. Dhe sipas ofertës së Poliçanit duheshin 30 vjet që të bëhej demontimi as sot nuk do të kishte përfunduar”.

SHKARKO APP