Gëzimi i ”Flakës në det” ka një kalvar të gjatë me dënime

Gëzim Çela, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të drogës të goditur nga operacioni “Flakë në det” u shpall në kërkim nga SPAK teksa ishte në kërkim nga drejtësia dhe jo vetëm nga ajo shqiptare. Ai ende nuk ka vuajtur një dënim me 10 vjet e 8 muaj burg dhënë në mungesë ndaj tij nga Apeli për Krimet e Rënda në vitin 2015.

Çela u fajësua si pjesë e një linje të trafikut të kokainës mes Kosovës e Shqipërisë, drogë që kishte si origjinë vende të Amerikës Latine dhe destinacion fundor vendet e Europës perëndimore.

Droga përpunohej në një laborator në Deçan të Kosovës dhe mes personave të arrestuar për të njëjtën çështje ishte dhe Valentina Tufa, e njohur si “tezja e kokainës”, nofka me të cilën i referoheshin bashkëpandehurit në bisedat telefonike të përgjuara. Gjatë të njëjtit operacion pas së cilit Çela humbi gjurmët, në vilën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën 207 kg kanabis, 5 kg heroinë e 500 gr kokainë, si edhe një arsenal armësh zjarri.

Nga ana tjetër, Çela ka edhe një dënim të pavuajtur me 19 vjet e 9 muaj burg të dhënë nga drejtësia italiane në vitin 2012, ku është fajësuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “organizatë mafioze”. Pas disa fitoresh të vogla me drejtësinë në Shqipëri në vitet 2000 , duke përfituar lirime nga qelia me raporte mjekësore, në vitin 2010 ai u arrestua në Turqi.

Dy vjet më vonë, pasi u deportua, u arrestua në Rinas për llogari të Italisë, që e kërkonte prej vitit 2000. Ai e kundërshtoi ekstradimin dhe korri sukses në dy shkallë të gjykimit, të cilat urdhëruan edhe lirimin e tij nga qelia.

Në vitin 2015 Gjykata e Lartë vendosi të lejojë ekstradimin e tij në Itali, por jo përpara se të përfundonte çështjen penale që kishte në ngarkim në Shqipëri. /A2cnn/

SHKARKO APP