Gjakmarrja, dhjetëra familje të ngujuara nuk do të votojnë

Kushtetuta e Shqipërisë në kreun e saj të tretë për “Liritë dhe të drejtat politike”, neni 45 pika 1. thotë se: Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Ndërsa në pikën 4 thuhet se: Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

Por sot kur kanë kaluar 25 vite demokraci, në Shqipëri këtë të drejtë nuk e zotërojnë të gjithë. Në veriun e vendit anëtarët e mbi 50 familjeve të ngujuara nga fenomeni i gjakmarrjes, nuk do të marrin pjesë në votime. Kryetari i shoqatës së misionareve të paqes dhe pajtimit të gjaqeve Nikoll Shullani, sqaron se në këtë ditë frika është më e madhe, pasi “gjaksi” ruan daljen e ndonjë familjari për të votuar që të marrë gjakun, ndërsa thekson se asnjë prej kandidatëve për kryetar bashkie nuk ka marrë mundimin të takohet me këto familje.

“Ato familje që janë të ngujuara nuk do marrin pjesë në votime se e kanë me frikë se ka pasur raste si e kanë shfrytëzuar këtë moment, në qarkun e Shkodrës, Tropojës e të Lezhës, rreth 50-55 familje janë të ngujuara. Asnjë kandidat në qarkun e Shkodrës, as në qarkun e Tropojës, dhe Lezhës, nuk kam informacion prej misionarëve të mi, se kanë kërkuar të takohen me ta”, thotë Nikoll Shullani, kryetar i shoqatës së misionarëve të paqes dhe pajtimi të gjaqeve.

 Edhe këtë 21 qershor rreth 50 familje në veriun e Shqipërisë, do të qëndrojnë të ngujuara duke mos patur mundësi të shprehin vullnetin e lire përmes të drejtës së votës.

 

SHKARKO APP