Gjata: Është bërë trajnim për të gjithë mjekët në Shqipëri për “luftën” kundër COVID-19

Kreu i Taskforcës në luftën kundër COVID-19 në Shqipëri Arben Gjata shprehet se në të gjithë vendin janë bërë trajnime për personelin mjekësor për të përballuar këtë pandemi.

Në një intervistë për RTV Ora ai thotë se prioriteti në këto momente është mbrojtja e atyre që janë në frontin e parë të luftës, dhe se janë marrë masat e nevojshme për të gjithë mjekët.

Arben Gjata: Ne kemi patur një parim që nuk e kemi ndryshuar. Ne mbrojmë padyshim personelin mjekësor. I kemi marrë të gjithë masat për t’i ruajtur mjekët. Deri tani kemi vetëm 41 mjekë të prekur pra një 10 përqind. Ndërkohë që mesatarja në vende të tjera është 13 përqind. Fatmirësisht kemi shumë pak të prekur në frontin e parë të luftës në spitalin infektiv. Ndërkohë është bërë trajnim masiv në të gjithë Shqipërinë për mjekët. Është bërë trajnim me personelin primar në këtë mënyrë kur mbaroi trajnimi u futën në luftë edhe mjekët e familjes për të bërë ndjekjen e pacientëve potencialisht të infektuar. E më pas ti rekomandojnë ata për tju nënshtruar testeve.

Mbi 50 përqind e të prekurve kanë rezultuar negativ pas dy javësh. Faza e rikuperimit parashikon kryerjen e një tamponi tjetër pas dy javësh dhe pasi të kalojë një muaj. Kjo për të patur mundësi që të rikuperohesh plotësisht dhe të jesh në gjendje për të shkuar në punë e të mos bëhesh rrezik për të tjerët. Gjithçka varet nga grada e infeksionit.

Gjata gjithashtu shprehet edhe për strategjinë e ndjekur nga epidemiologët shqiptarë e cila deri më tani ka pasur një efekt pozitiv.

Arben Gjata: Ka disa mënyra për të vlerësuar shtrirjen reale të pandemisë. Është ndjekur një strategji testimesh që është vendosur nga komiteti i ekspertëve shqiptarë. Është një shifër tjetër, nëse do të kishim një numër më të lartë të infektuarish ne nuk do të kishim kapacitet në spitalet tona. Ne jëmi përgatitur për disa skenare. Tani ne jemi në skenarin e parë. Nëse do të marrim epidemitë që ka kaluar Shqipëria nga kolera apo gripi i derrit, shumica e këtyre ekspertëve janë të njëjtë. Nuk është një problem

Problemi është që testimi bëhet në rast të një ndjekje epidemiologjike, bëhen testime të kontaktit. Nisen nga disa parime epidemiologjike. Deri tani jemi në një situatë të kontrolluar. Sa më shumë presione të kenë aq më keq. Ne kemi rezultate relativisht të mira. Kemi një epidemi të kontrolluar me një kurbë të shtypur. Sa kohë ne po e përballojmë pa hyrë në kapacitetet më të mëdha, atëherë jemi nën kontroll. Në të gjithë botën ndryshohen shpeshherë ndryshojnë masat e marra nga qeveria. Kjo sepse virusi ka më shumë të panjohura se sa të njohura. Gjatë kësaj periudhe mjekët, shkencëtarët, kanë ndjekur këto ndryshime.

SHKARKO APP