Gjatë 8 viteve, në Dibër është votuar 5 herë për kryebashkiakë

Garën për Dibrën e fitoi Rahim Spahiu, kandidati i Partisë Socialiste, njëherazi kryetari aktual i bashkisë , i mandatuar në zgjedhjet e pjesshme në 6 mars 2022. Ai mori 67,69% të votave në zgjedhjet e së dielës, ndërsa kishte përballë avokatin Ismail Uka kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” i cili mori 27,11% të votave dhe kandidatin e Partisë Demokratike, Naim Gazidede i cili mori 5,21% të votave. Në 14 maj dibranët votuan për herë të 5 në kuadrin kohor të 8 viteve, pasi ndryshe nga 60 bashkitë e tjera, Dibra ka zhvilluar zgjedhje vendore çdo dy vjet duke ndryshuar 6 kryetarë, 4 të zgjedhur dhe 2 të komanduar. Të gjithë përfaqësues të Partisë socialiste, por asnjëri nuk arriti të përfundojë një mandat të plotë për arsye të ndryshme.

Në vitin 2015, Shukri Xhelili, kandidati i së majtës u zgjodh kryetar i bashkisë së Dibrës me një diferencë prej 500 votash kundrejt kandidatit të së djathtës, Ilir Krosit I cili hyri në këto zgjedhje për një mandat të 4-të. Xhelili u shkarkua një vit më vonë, pas akuzave për abuzim me detyrën në kërkim të favoreve seksuale për një vend pune, për të cilën dhe u dënua me 2,8 vite burg.

Në zgjedhjet e parakohshme që pasuan në vitin 2016 socialistët garuan me kirurgun Muharrem Rama, i cili fitoi bindshëm me një diferencë prej 4,232 votash ndaj Shrefedin Shehut, kandidatit të Partisë Demokratike. Një sërë përgjimesh të publikuara fillimisht në vitin 2019, treguan se një sërë funksionarësh shtetërore dhe persona të tjerë pranë socialistëve kishin manipuluar votat në zgjedhjet e shtatorit 2016 në Dibër.

Swiss Digital Desktop Reklama

Hetimet e prokurorisë dolën po ashtu në të njëjtin përfundim edhe pse shumica e personave të akuzuar për blerje vote nuk u dërguan në gjykatë, për shkak të afateve. Dosja 184 kaloi nga Prokuroria e Dibrës në SPAK, për tu rikthyer sërish për gjykim në Dibër, proces i cili ende nuk është mbyllur. Skandali i blerjes së votave u përdor nga opozita si motiv për të braktisur mandatet në Kuvend dhe bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këto zgjedhje e majta solli si kandidat Dionis Imeraj, e përballë tij ishte Shkëlzen Qoka, kandidati i dalë nga Bindja Demokratike. Imeraj mori si kandidat i vetëm në zgjedhje e 2019, gati 13,000 vota. Por edhe Dionis imeraj nuk e përfundoi mandatin e tij, pasi ai dha dorëheqje nga kjo detyrë. Shkak u bë përfshirja e Imerajt në garën për deputet të qarkut Dibër më 25 prill2021 ku ish kryebashkiaku nuk arriti të sigurojë një ulëse në kuvend.

Në mars të 2022 , Dibranëve do t’iu duhet të zgjedhin një tjetër kryetar për qytetin e tyre. Kandidatët për postin e kryetarit të bashkisë në këto zgjedhje janë katër. I pari në fletën e votimit është Premtim Kryemadhi, një arsimtar që kandidon nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë” i krijuar nga LSI, dhe që mbështetet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe një fraksion i Partisë Demokratike. Luan Haka është në garë si kandidat i Partisë Demokratike. Nga koalicioni i majtë i Socialistëve në pushtet në garë për kryetar është Rahim Spahiu. Dritan Torba, një 26 vjecar hyri në këtë garë si kandidat i Partisë Lëvizja e Re.

Kalimi në votime çdo dy vjet duke se ka lodhur dibranët, e kjo shihet nga pjesëmarrja gjithmonë në rënie nga viti 2015 deri në 2023. Në 2023, në lista figurojnë 56.726 persona por Vetëm 24.876 votuan ndërkohë që në zgjedhjet e 2015 u bënë pjesë e votimeve 31.956 persona nga 56.322 që ishin në lista. /Euronews Albania/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?