Gjekmarkaj: Kjo klimë presioni nuk nderon askënd, as ju dhe është shenjë dekadencë politike e etike!
Nga Agron Gjekmarkaj-
Pjesë nga fjala ime e mbajtur mbi buxhetin në Komisionin e Edukimit
Po e filloj mjaft i impresionuar nga numri i madh i psikologëvë që do të shtohen me buxhetin e ri në arsim. Unë e kam një lutje sikur të na jepni ca dhe ne këtu në Kuvend se njerëz jemi, në mesomoshë, ky ziafet buxhet na emocionon shumë, ndaj na duhet një përgatitje shpirtërore, që të menaxhojmë gëzimin se na bie zali!
E dyta shoh që për shkencën keni vënë një buxhet 0,06 % ! Eh ç’na duhet shkenca? Kush ja ka parë hajrin asaj! Janë shumë lekë! Me shumë më pak se kaq mblidhni fjalimet e Babo Kryeministrit, ato të zonjës Spiropali që të kënaqin shpirtin, i botoni në kolanë me veshje fildishi, në mos mjaftofshin ato keni të tjera, të ministrit të policisë që është hem demosten e hem ciceron, nëse duhen edhe më, shtoni të Ulsisë. Ato janë shkencë e shkuar shkencës, llaf e kaluar llafit! Jua shpërdani njerzve për festa e biem rehat, në shkolla e Universitete dhe ju mbesin ca lekë!
Në vitin 2013 thatë që do e bëni 5% buxhetin për arsimin! Birinxhi! Kanë kaluar 12 vjet dhe jeni tek 2,54%! Pra një genjeshtër e madhe propagande, fillimi një trishtim, kaq i tillë vazhdimi! Arsimi parauniversitar 1,79%, ai profesional 0,17% , arsimi i lartë 0,49%!Shkencën po e keni respektuar me sa thamë!
Tani se cili do jetë fati i arsimit duke qartë!
Që të ketë shkollë duhet të ketë fëmijë! Por ata po ikin se prindërit e tyre nuk kanë garanci as ekonomi me këtë qeveri! Raportet ndërkombëtare e nxjerrin në rënie pikiatë! Kudo në Shqipëri mësuesit qortohen, patronazhohen, që ti rrinë larg Opozitës dhe të duan Qeverinë!
Kjo klimë presioni nuk nderon askënd, as ju dhe është shenjë dekadencë politike e etike!
Rajoni, Kosova e Maqedonia për mos me citu Kroacinë dhe Slloveninë, i kushtojnë arsimit 4 apo 4,6 % …!
Ndaj e përsëris, ky është një buxhet propagande, një stisje elektorale, pa thelb dhe si i tillë denoncohet prej nesh!