Gjenden në një banesë në Kavajë mbi 4 kg drogë, 61-vjeçari përfundon në pranga
Sekuestrohen 4 kilogramë e 403 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa në një fshat të Kavajës, teksa policia ka vënë në pranga poseduesin.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike në banesë, shërbimet e Policisë Kavajë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit N. Q., në fshatin Veliboshtovë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kg e 403 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Komisariatit të Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. Q., 61 vjeç, banues në fshatin Veliboshtovë, në Kavajë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.