Gjendet i vrarë biznesmeni në Maminas, policia shpall në kërkim shokun e tij

 

Një biznesmen 39-vjeçar nga fshati Karpën i Maminasit u vra pas mesnatës dhe pas hetimeve paraprake policia njofton se shoku i tij  është shpallur në kërkim.

Policia gjeti trupin e pajetë të Arben Hasës në fshatin Manëz të Vjetër, pranë Gjirit të Lalëzit, i cili ishte qëlluar me automatik.

Fillimisht blutë e qytetit bregdetar gjetën të braktisur automjetin e biznesmenit që operonte në sektorin e materialeve të ndërtimit në fshatin Shkallë të Manëzit.

Brenda makinës tip BMW me targa AA 938 DR policia gjeti njolla gjaku, 2 fishekë dhe një gëzhojë automatiku.

Uniformat blu nisën kërkimet në terren për këtë ngjarje të dyshimtë dhe në orët e para të mëngjesit dyshimet e policisë për një vrasje u konfirmuan, pasi trupi i pajetë i Arben Hasës u gjet anë rrugës i hedhur mes disa shkurreve.

Policia e Durrësit thotë se e ka identifikuar autorin, i cili ishte shok me viktimën, por për arsye hetimore ende nuk është bërë i ditur identiteti i tij.

Nga hetimet rezulton se mbrëmjen e djeshme autori ka shkuar në shtëpinë e 39-vjeçarit Hasa në fshatin Karpën dhe i ka kërkuar ta çojë me makinë në banesën ku jeton autori, në fshatin Manëz i Vjetër.

Arben Hasa është treguar i gatshëm, por gjatë rrugës për arsye ende të pamësuara dy miqtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin, dhe autori më pas dyshohet se e ka qëlluar me automatik duke e lënë të pajetë Hasën.

Pas krimit ai e ka hedhur trupin e pajetë të biznesmenit në fshatin Manëz të Vjetër dhe ka vazhduar të ecë me makinë deri në një pjesë rruge pranë fshatit Shkallë, ku më tej e ka braktisur automjetin e mikut të tij duke u larguar në drejtim të paditur.

Arben Hasa edhe autori i vrasjes, para kësaj ngjarje, nuk rezultojnë persona me precedentë penalë.

SHKARKO APP