Gjendje alarmi në Maqedoni

 

Shërbimet e sigurisë së Maqedonisë kanë ndezur alarmin e rrezikut nga ndonjë hakmarrje për rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Pas vizitës që komisioni për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, i ka bërë Agjencisë për zbulim, deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshovski tha se drejtori i kësaj agjencie i ka njoftuar deputetët për rreziqet e tilla nga sfera e sigurisë dhe se janë alarmuar edhe vendet fqinjë.

Edhe pse Milloshovski nuk e përmendi gjatë konferencës për shtyp, më vonë televizioni Alsat konfirmoi se frika lidhet me rastin e Kumanovës dhe se Maqedonia ka alarmuar për këtë edhe Shqipërinë, Kosovën dhe vendet anëtare të BE-së.

“Ekzistojnë rreziqe të caktuara që lidhen me disa ngjarje apo ndërhyrje të mëparshme nga sfera e sigurisë dhe rreziqe të mundshme për aksione që do të ishin si revanshizëm ndaj ngjarjeve të tilla të sigurisë në periudhën e kaluar. Por për këto rreziqe janë alarmuar të gjitha institucionet kompetente, si edhe shërbimet rajonale dhe partnere nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Vlerësojmë se agjencia po bën maksimumin për të parandaluar çfarëdolloj përshkallëzimi që kanë të bëjnë me rreziqet në aspekt të sigurisë”, tha Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deputeti i vetëm shqiptar që kishte marrë pjesë në këtë vizitë, ka ngritur edhe dilemat për përfshirjen e zyrtarëve të Agjencisë për Zbulim në inskenimin e incidentit të 9 dhe 10 majit në Kumanovë.

Adili alarmoi edhe për rënie drastike të përfaqësimit të shqiptarëve në agjencinë për zbulim, nga 18 në 10%. Ai tha se drejtori i Agjencisë ka fajësuar për këtë sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi nuk ka dërguar atje shqiptarë edhe përkundër kërkesave të drejtorit.

Me largimin e Adilit nga BDI-ja dhe themelimin e partisë “Uniteti”, partia e Ahmetit tani ka mbetur pa përfaqësues në komisionin për mbikëqyrje të Agjencisë për Zbulim dhe Drejtorisë për Siguri e Kundërzbulim. Përveç Adilit në këtë komision bën pjesë edhe deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu, por ai nuk kishte qenë sot në vizitën që iu bë Agjencisë për Zbulim./Alsat-
m

SHKARKO APP