Gjergj Bojaxhi replikon me Veliajn

 

Nga Gjergj Bojaxhi

Zoti Erion Veliaj përsëriti edhe dje disa deklarata kundër kandidimit tim dhe denoncimeve që unë i kam bërë ndërtimeve në Parkun e Liqenit. Deklaratat e tij janë jo vetëm pa etikë dhe pa qytetari por reflektojnë një mentalitet të korruptuar që përçmon lirinë, integritetin dhe dinjitetin e tjetrit.

Kandidimi im për Bashkinë e Tiranës është shprehje e vullneti të lirë të rreth 14 mijë qytetarëve të Tiranës. Deklaratat e Zotit Veliaj janë fyerje e përçmim edhe për të gjithë këta qytetarë, të cilët Zoti Veliaj i konsideron ose budallenj të mashtruar prej meje ose, me shprehjen e tij banale, si “të Saliut”.

Përtej mungesës së thjeshtësisë dhe etikës, akuzat e Zotit Veliaj kanë një qëllim tinzar: ato duan të largojnë vëmendjen e publikut nga denoncimet që unë i kam bërë bashkëpunimit sistematik mes zotërinjve Rama, Berisha dhe Basha për shkatërrimin e Parkut të Liqenit. Zoti Veliaj ka synim ta zbatojë planin Berisha-Rama-Basha për ndërtimet në Parkun e Liqenit. Për këtë arsye, ai po përpiqet të largojë vëmendjen e publikut me akuza politike që nuk kanë lidhje me Parkun e Liqenit.

Mendoj se është momneti që zoti Veliaj të bëjë të qartë qëndrimin e tij. Konkretisht ai duhet t’i përgjigjet këtyre pyetjeve:

A do të anullojë Zoti Veliaj vendimin Rama-Berisha-Basha për kthimin në tokë ndërtimi të rreth 70 hektarëve sipërfaqe përgjatë kurorës së Parkut të Liqenit?

Unë do ta anulloj këtë vendim me referendum të qytetarëve të Tiranës. Zoti Veliaj nuk ka nevojë as për referendum, pasi mund ta anullojë me një firmë të thjeshtë të Kryeministrit Rama, me të cilën premton se do të bashkëqeverisë Tiranën.

A do ta lejojë Zoti Veliaj ndërtimin 15 katësh në pjesën e parkut përballë Fakultetit Ekonomik, leje që ndodhet në tavolinën e Kryetarit të Bashkisë për firmë? Unë nuk do ta firmos këtë leje.

A do të lejojë Zoti Veliaj ndërtimet e planifikuara në krah të Korpusit të Universitetit, mbi Universitetin e Arteve? Unë nuk do t’i lejoj.

A do t’i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet e planifikuara në territorin ku është sot Garda? Unë nuk do t’i lejoj.

A do t’i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet në trekëndëshin në fillim të digës së liqenit (sot vendparim)? Unë nuk do t’i lejoj.

A do t’i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet që kanë filluar e të tjera që po përgatiten të fillojnë poshtë Digës së Liqenit? Unë nuk do t’i lejoj.

Para ca javësh, Zoti Veliaj kërkoi që denoncimeve t’u vihet emër. Emrat e vendim-marrëse për shkatërrimin e Parkut dhe hapësirave të tjera publike në Tiranë janë emrat e zotërinjve Rama, Berisha dhe Basha. Emrat e përfituesve nga këto ndërtime, Zoti Veliaj mund t’i gjejë në listën e të ftuarve në dasmën e tij.

SHKARKO APP