Gjergj Luca: “Amanetin për “Shqipërinë Madhështore” do ta çojmë deri në fund, shoku Enver!”
Sipërmarrësi Gjergj Luca vazhdon të jetë një spektakël më vete në skenën publike, sidomos tani që motorët e politikës janë ndezur në regjim fushate, ndërsa afrohet 11 maji i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Me mënyrën e tij të shpenguar e ironike të të shprehurit, Luca shfaqet jo si një komentues i zakonshëm, por si një “lajmërues apokalipsi” që thumbon politikën me një buzëqeshje të ngjeshur pas batutës.
Këtë herë, skena është një mural ku Sali Berisha, me gjithë artin e karikaturës, është paraqitur si një oktapod që ka mbërthyer në tentakulat e tij jo vetëm strukturat e Partisë Demokratike, por çdo përpjekje të pavarur për të ndërtuar një alternativë politike jashtë kontrollit të tij paternalist. Dhe aty, Luca nuk ngurron ta ngatërrojë realitetin me absurditetin, duke shpërthyer:
“Amanetin tuaj për Shqipërinë madhështore do ta çojmë deri në fund, shoku Enver!”
Në një vijim që s’di ku ndalet ironia e ku fillon sarkazma, ai shton:
“Amanetin s’e tret dheu, amaneti na mban gjallë e na ysht drejt zgjedhjeve të ardhshme. Shoku Enver, ti nuk ke vdekur, ti jeton në vargjet e Fahriut dhe në doktrinën e Saliut!”
Luca lë të nënkuptohet se “partia” që dikur kishte si ikonë luftëtarin antikomunist, sot e ka zhvendosur busullën morale drejt një kloni politik të enverizmit – me Saliun në rolin e liderit suprem, të paprekshëm dhe gjithpërfshirës.
Me pak fjalë, sipas Luca-s, PD-ja nuk ka nevojë për ide, platforma a vizion: ka mjaftueshëm amanete – të cilat, në këtë realitet të përmbysur, s’e tret as dheu, por vetëm i riciklon për në zgjedhjet e radhës.
AV