Gjergj Luca: Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar vëllezër të një gjaku!
Në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sipërmarrësi Gjergj Luca ka përcjellë një mesazh që shkon përtej urimit ceremonial. Ai e vendos këtë datë jo vetëm si kremtim, por si ndërgjegjësim. “Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar vëllezër të një gjaku!”, është thirrja e tij e parë, një përqafim simbolik që kapërcen kufijtë administrativë dhe rikthen në kujtesë lidhjen organike të një kombi. Por Luca nuk ndalet te entuziazmi festiv. Ai e quan këtë përvjetor një ditë që duhet të jetë njëkohësisht festë, alarm, reflektim dhe evokim. Festë për lirinë e fituar; alarm për përçarjet që rrezikojnë ta zbehin atë; reflektim për sakrificën e bërë; evokim për të mos harruar çmimin e paguar.
Ai kujton se kjo liri është paguar me gjakun e bijve dhe bijave të kësaj toke, një toke të djegur nga hasmi dhe të vaditur me sakrificë. Në mesazhin e tij video, Luca shtron një pyetje të fortë morale. si është e mundur që sot, kur kemi më shumë liri se kurrë, të kemi edhe kaq shumë urrejtje mes njëri-tjetrit? Mesazhi i tij merr tone të drejtpërdrejta kur flet për përçarjet politike dhe konfliktualitetin shoqëror. Ai u bën thirrje aktorëve politikë që ta shndërrojnë politikëbërjen në një akt atdhetarie, në një përgjegjësi historike ndaj sakrificës së atyre që ranë për këtë ditë. Sipas tij, mjaft më me përplasje sterile dhe me gjuhë ndasie, kjo ditë kërkon maturi, bashkëpunim dhe vizion.
Në thelbin e mesazhit të tij është një përkulje përpara atyre që u flijuan, përpara atyre që sot përballen me procese të vështira në Hagë, dhe përpara etërve që e panë lirinë si amanet brezash. Ai e sheh Pavarësinë jo si fund, por si etapë në një mision më të madh historik, konsolidimin e shtetit dhe përfshirjen e tij të denjë në familjen evropiane.
Mesazhi i Gjergj Lucës është një përzierje e ashpërsisë qytetare dhe përzemërsisë kombëtare. Ai flet me ton kritik, por edhe me përulësi ndaj sakrificës. Dhe në fund, ai na kujton se Pavarësia nuk është vetëm një datë kalendarike; është një përgjegjësi e përditshme. Gëzuar Pavarësinë, Kosovë, por mbi të gjitha, e denjë për të.
/Albert Vataj/
KOHA JONË SONDAZH

