Gjergj Luca i “merr” Partinë Socialiste, Edi Ramës… vetëm për sot

Po, pak a shumë ashtu bëri sot, Gjergj Luca, sot sapo deputetët socialistë kanë përfunduar mbledhjen informale të zhvilluar në Fish City, Elbasan, ku është folur për angazhimin në institucionet e Kuvendit, si dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025, përfunduan në grishjen e Gjergj Lucës, për të folur dhe bërë shaka me ta, si i zoti i shtëpisë.

Porosinë e Ramës, njëra prej të shumtave që dha, ishte të jeni aktivë në Facebook dhe Tik Tok, dhe sot më mirë se Gjergj Luca, nuk e ka kuptuar asnjë këtë, edhe pse ai nuk është deputet dhe nuk e vë fort ujin në zjarr për urdhra partie, edhe pse Ramën e ka mik dhe e vlerëson si Kryeministër.

Si zoti i shtëpisë, Luca ka patur rastin t’i thërrasë disa prej deputetëve socialistë, jo për ndonjë halla a nevojë, por për të biseduar dhe bërë shaka, për të folur siç di vetëm ai, Gjergj Luca, për të qenë serioz ndonjëherë, por gjithnjë për të thënë disa gjëra ndoshta jopolitike, hapur dhe troç.

Në postimin e videos me Mimi Kodhelin, në rrjetet sociale, Luca është shprehur: “E duam Mimin për qindra arsye, e dua jo vetëm se e kam dukagjinasen time por mbetet në histori se ishte e para femër ministre e mbrojtjes shqiptare. Po e puth edhe për ju se e di që e doni dhe arsyeja është e thjeshtë se ka sebep. Ka ditëlindjen dhe mbushi plot 60 vjeç!”

Në radhë ishte Ulsi Manja: “Ulsiun nuk e do vetëm Lolita, por e dua edhe unë. Kudo ku shkoj ndjej sfidën e Ulsiut e bëhem xheloz për Lolitën ndaj ja ku e keni para jush…

Zonja e zotërinj ejani me mua sot në sfilatën e parakalimit të deputetëve e ministrave. Sot jam unë kryetari i partisë së tyre!” ka shkruar Luca.

Pas Ulsit në kamerën e Lucës do të hynin Bledar Çuci dhe Mirela Kumbaro, të cilët i zoti i shpisë i priti me batuta, duke sjellë në kujtesë djalin e thjeshtë, tiranasin me shapka me gisht: “Veshur me shapka me gisht nëpër Bllok e takoja, i thjeshtë e pa tangërllik. Çun tirone por gjirokastrit me origjinë. Dhe shapkat me gisht nuk i vishte se ishte kërnac por ngaqë edhe kur ishte ministër mbeti i thjeshtë!”.

Në radhë në fokusin e Lucës do të ishin, Niko Peleshi dhe Blendi Klosi, për të cilët ai tha: “Me deputetët e sotshëm na ka njohur e djeshmja kur ishim të rinj e këndonim muzikë të mirë e kur ngacmonim e na ngacmonin. Ndërsa sot vetëm na ngacmojnë… Me Nikon e me Blendin nuk na lidh politika por dëshira për punë të mira dhe ndryshime të dukshme!

“Lindita dhe Anila janë mishërimi i grave të pushtetshme por me këmbë në tokë. Thjeshtësie e tyre mbetet unike ashtu si mirësia…” është begenisja dhe sajdisja që Luca i bëri dy zonjave të tjera të PS.

Dhe përfundon ky prezantim i Lucës, ky bashkëbisedim, kjo ndarje mendimesh dhe grishje kujtimesh, këto mesazhe apolitike dhe shoqërore, me Taulant Ballën, për të cilin ai shkruan: “Nga Elbasani në Fier, nga Fieri në diasporë. Taulantit i erdhi koha të tregojë fuqinë e tij edhe jashtë Shqipërisë me punët për Shqipërinë. Test i fortë dhe historik do jetë mot në pranverë vota e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në diasporë!”

Gjergj Luca i priti socialistët si malësor, i begenisi e i shtroj si dukagjinas, dhe i përcolli siç i kishte hije atij si zot shpie në Fish City, Labinot-Fushë, Elbasan.

Albert Vataj / Koha Jonë

 

SHKARKO APP