Gjergj Luca me dy “të çmendurit” e tallavasë shqiptare, në qytetin e urtë të Gramshit

“Nuk kishin ardhur kurrë në Gramshin e qetë dy të çmendurit e tallavasë shqiptare, Syçi dhe Bled Mane. Erdhën, panë dhe nuk pushonin së llapuri. Këtë oreks për të folur nuk e di ku e gjetën, te mua apo te Fahriu?” – është ky përshkrimi që shoqëron videon e publikuar nga Gjergj Luca në rrjetet e tij sociale. Një video që dokumenton vizitën e dy figurave kontroverse, Ilir Demaliajt dhe Bled Manes, në kompleksin e muraleve që mbulojnë fasadat e fabrikës së përpunimit të peshkut në Gramsh – një investim i “Rozafës”, jo vetëm si një sipërmarrje ekonomike, por si një mundësi punësimi për qindra vajza dhe gra të një zone shpesh të harruar nga zhvillimi.
Në sytë e këtyre dy vizitorëve, të cilët në këtë udhëtim më shumë vëzhgojnë sesa analizojnë, Luca – mes të qeshurave të tij karakteristike – përpiqet t’u shpjegojë mbishkrimet dhe vizatimet që mbushin muret e fabrikës. Por ky nuk është thjesht një peizazh pikturash; është një spektakël ku grotesku, parodia, ironia therëse dhe cinizmi ndërthuren për të krijuar një skenë unike reagimi dhe revolte.
Gjergj Luca, në këtë skaj të harruar të Shqipërisë, nuk ka ndërtuar thjesht një fabrikë të përpunimit të peshkut, por ka ngritur edhe një grusht të fuqishëm kundër hipokrizisë dhe mashtrimeve politike. Si pakkush tjetër, ai ka guximin të thotë dhe të bëjë atë që shumë të tjerë, njerëz punëtorë e të ndershëm si ai, vetëm e mendojnë, por e lënë revoltën e tyre të shuhet bashkë me vullnetin për të reaguar. Përmes muraleve të tij në Gramsh, ai nuk thjesht pikturon, por fshikullon dhe godet, akuzon dhe ndëshkon, shënjestron një kastë të tërë duke dëshmuar se zërat e vërtetë të protestës nuk heshtin – ata thjesht gjejnë mënyra të reja për të denoncuar.
Kjo vizitë e “dy të çmendurve” dhe e të tretit në këtë spektakël grotesku, Gjergj Lucës, në një kohë kur Shqipëria është e mbërthyer nga betejat elektorale, shfaqet si një formë ndryshe e leximit të realitetit politik. Në këtë atmosferë të rënduar nga retorikat boshe dhe premtimet e konsumuar, muraleve të Gramshit u mbetet një tjetër mision: të përqeshin, të shkundin, të sfidojnë. Ato flasin seriozisht edhe kur i qasen realitetit me karikaturë, me parulla të kohës së diktaturës dhe me shabllonet klasike të spektaklit politik, duke e kthyer ironinë në një armë më të mprehtë se çdo fjalim elektoral.
AV