Gjergj Luca, që nxori nga legjenda “ROZAFEN”, shpallet nga “Koha Jonë” si “Personazhi i Vitit 2022” në prani të 135 gazetarëve shqiptarë e kosovarë

Nga Albert Vataj
“Koha Jonë”, gazeta e parë e pavarur, ka shpallur sipërmarrësin Gjergj Luca “Personazhi i Vitit 2022”.

Vitin e kaluar KOHA JONE shpalli pas votimeve online futbollistin e njohur Armando Broja, ndërsa para dy viteve ishte Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, e cila fitoi çmimin e vitit 2020.

Ndërkohë mbrëmë komunikimi i këtij vlerësimi dhe kësaj mirënjohjeje, Lucës së madh të sipërmarrjes shqiptare, ju bë në një natë magjike festive në Fish City, nga drejtori i “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, në prani të ajkës së gazetarisë dhe jo vetëm, të gjithë atyre që janë dhe mbeten faqe në historinë e kësaj gazete dhe fjalës së lirë.

Ishin në ceremoni afro 135 gazetarë shqiptarë, nga të gjitha mediat e vendit. Kishte të ftuar edhe gazetarë nga Kosova.

Duke qenë një njohës i punës dhe përpjekjeve titanike të Gjergj Lucës, për të kthyer besimin e njerëzve “te puna dhe e vërteta”, siç shprehet ai, ka kohë që pres në këtë aradhe të gjatë promovimesh dhe prezantimesh të modeleve inspiruese, një vlerësim për këtë sipërmarrës. Të gjithë ata që u ngjitën në podin e lavdisë e merituan këtë nderim, u takonte gjithë ai ditiramb, e krejt ai solemnitet teatral madhështie, por asnjëri, asnjëri, asnjëri prej tyre nuk bëri më shumë se Gjergj Luca.

Më shumë se fjalët, punën e tij e dëshmojnë veprat. Nga Labinot-Fusha, në Përrenjas, Gramsh dhe Maliq, ai i ngriti dhe po i ngre një e nga një, qytetet dhe fabrikat e peshkut, si sfidë dhe mundësi, si potencial i kapaciteteve njerëzore, për shndërruar gërmadhat e së shkuarës në aktet e mëdha të sipërmarrjes, si provë besimi dhe shprese se ky vend pret prej nesh të japim atë që nesër do të jetë motivim dhe krenari.

“Rozafa”, që Gjergj Luca nxori nga legjenda, u shndërrua në një fenomen i suksesit të sipërmarrjes shqiptare dhe aftësisë për të shndërruar çdo kapacitet dhe potencial njerëzor në një fuqi gjeneruese të asaj energjie që bën mrekulli. Ai e ringriti nga themelet këtë bedena qëndrese, duke “flijuar” në muret e saj çdoditshmërinë e tij plot pasion e përkushtim. Bëri atë që askush nuk mund të imagjinonte. Dhe nuk e bëri as për nderime dhe as për tituj, por thjeshtë se ai besonte se ne meritojmë më shumë, se ne jemi të shpërblyer nga shanset që ofron ai shpirt që qëndron si Ante në ndeshjen mitike.

Gjergj Luca është në luftë të pareshtur me kohën dhe pamundësitë, ndeshet për të fituar dhe shpërblehet me një vepër që lind nga ëndrra e tij. Por, prej të gjithë kundërshtarëve, me të cilët ai kacafytet është vetvetja, temperamenti impulsiv, karakteri kryengritës prej malësori, shpirti i paepur dhe martirizues i një dishepulli. Sepse ai është ai, Gjergj Luca!

Pavarësisht stolisjes përmes mendimit dhe fjalës, pozitivites dhe përulësisë, për ta ngritur mirënjohjen në një altar, njëmendem me gjithçka është tashmë një fakt, se Gjergj Luca është një potencial i jashtëzakonshëm idesh dhe energjish krijuese. Nuk ka asnjë më “të çmendur” se ai, sepse çdo urtësi arrin të gjunjëzohet përpara asaj që ai bën, asaj që ai krijon. Askush nuk mund të guxojë kaq shumë dhe të dhurojë kaq bujarisht, atë që ofron përkushtimi i tij. Vetëm ai besonte se çfarë energjie përtëritëse kanë pasionet e njerëzve, se sa transformuese është forca e besimit, se çfarë magjie arrin të krijojë ajo zemër që ndizet nga dëshira për të bukurën, për të begatuarën e shpirtrave të dritur nga shpresa.

Ndoshta ai, Gjergj Luca, është nga të vetmit sipërmarrës, puna, vendosmëria dhe ambicia e të cilit tejkalon çdo cak, rrëzon çdo parashikim, kap të gjithë pritshmëritë. Ai është diçka krejt ndryshe nga çdo sipërmarrës shqiptar. Kjo veçanti qëndron tek ajo që ai ka arritur. Ai ka dhënë nga vetja atë që është e të gjithëve. Pas Rozafës, fabrikave që ai ngriti, Flotës së Peshkimit, një rrjeti shërbimi, një mekanizmi funksionimi perfekt i makinërisë së punësimit, qëndron një sipërmarrës që jep dhe merr nga puna e një “armate” njerëzish të përkushtuar.

Njerëzit e veprave të mëdha, janë misionarët e kohës, kam besuar te ky postulat si një psalmi, dhe kohës sonë nuk i mungojnë modelet si Gjergj Luca, vepra e të cilëve është madhështorja e ëndrrave që shndërruan në realitet.
Nuk ishte aspak e lehtë për Gjergj Lucën për të ardhur deri këtu, sikurse është një sfidë e vështirë për të vijuar më tej, sepse kur arrin të bësh diçka të bukur, diçka të mirë, diçka që tejkalon të besueshmen, ka prej atyre që gëzohen, që e vlerësojnë këtë arritje dhe e konsiderojnë këtë si një histori suksesi, sikurse ka dhe jo pak prej atyre që mendojnë ditë e natë, se si të minojnë sukseset e kësaj sipërmarrjeje, si si të baltosin krenarinë e kësaj arritjeje dhe e bëjnë këtë përmes sulmesh denigruese.

Por “Rozafa”, Fish City, Gjergj Luca dhe të gjithë ata që kanë energjinë dhe shpirtin në këtë lavdi, siç kanë ditur të triumfojnë para gjithë atyre vështirësive, me të cilat u ndeshen dhe u pwrleshwn për të arritur deri këtu, do të guxojnë të luftojnë dhe të fitojnë në çdo betejë, që kjo sipërmarrje të vijojë të jetë një sprovë kurajoje, vendosmërie dhe arritjesh sfiduese, dhe Fish City të jetë dhe të bëhet qyteti që ka lindur nga ëndrra, qyteti që e dëshirojnë të gjithë, qyteti i Diellit dhe mysafirëve.

Vlerësimi “Personazhi i Vitit 2022” nga “Koha Jonë” për Gjergj Lucën, është një mirënjohje dhe konsideratë që ky tribun i fjalës së lirë shpreh për njeriun e punës dhe përkushtimit, për shpirtin e paepur stuhive dhe ndeshjeve, për atë që ka ngritur në altar besimit te puna, për atë që përmes veprës po dëshmon se gjithçka është e mundur, se asnjë ndalim nuk mund ta ndalë vërshimin e një vullneti të mirë.

SHKARKO APP