Gjergj Luca: Vetëm përpara, miq! Nuk ka rrugë tjetër. Na duhet Evropa, që të mos kemi më barriera
Sipërmarrësi Gjergj Luca, në një tjetër komunikim me ndjekësit e tij në mediat sociale, ka ngritur një shqetësim madhor që nuk prek vetëm atë dhe kompaninë që drejton, “Rozafa”, por edhe 3,792 ndërmarrje eksportuese në Shqipëri.
“Në dukje mund të mendoni se është një problem personal, por në të vërtetë pasojat e tij ndihen deri te konsumatori i fundit, duke ndikuar në rritjen e kostove dhe çmimeve të produkteve. Miqtë e mi, nuk mund ta imagjinoni se çfarë burokracie, sa kohë dhe sa para na duhet të harxhojmë ne, eksportuesit shqiptarë, për të operuar në tregjet evropiane. Një rrugë e mbushur me pengesa, një stres i vazhdueshëm, një tmerr që duhet të marrë fund vetëm me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të gjithë bashkë, përpara me kurajë!” – shkruan Luca në publikimin e tij, i shoqëruar me një video ku parashtron me detaje sfidat e përditshme me të cilat përballen ai dhe sipërmarrësit e tjerë shqiptarë.
Për Lucën, ky nuk është thjesht një apel për zgjidhjen e një problematike biznesi, por një thirrje për reflektim të gjerë. Pengesat burokratike dhe kostot e larta që rëndojnë mbi eksportuesit shqiptarë janë një barrë që pengon zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën e drejtë. Për këtë arsye, sipas tij, zgjidhja e vetme është integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane, ku tregu i lirë dhe rregullat e qarta do të garantojnë një ambient më të favorshëm për biznesin dhe ekonominë shqiptare.
“Na duhet Evropa! Për të thyer barrierat që na mbajnë peng, për të lehtësuar tregtinë, për të çliruar ekonominë nga burokracitë e tepërta. Na duhet Evropa për të ecur përpara, për të krijuar një klimë të re zhvillimi dhe mundësi të reja për sipërmarrjen shqiptare!” – thekson Luca në mesazhin e tij të qartë dhe të drejtpërdrejtë.
AV
KOHA JONË SONDAZH

