Gjermania i dhuron RENEA-s, automjete dhe pajisje me vlerë mbi 344 mijë euro. Nano: Bashkëpunimi është shtrirë në fusha të ndryshme
Në ambientet e Repartit Special RENEA u zhvillua ceremonia e dorëzimit të automjeteve, uniformave dhe pajisjeve të dhuruara, nga policia Federale Gjermane. Në ceremoni morën pjesë kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf. Policia Federale Gjermane i dhuroi Repartit Special RENEA, 2 automjete speciale për Njësinë e Negocimit dhe Njësinë Antieksploziv, uniforma dhe pajisje të tjera për Repartin Special RENEA dhe 2 autoambulanca për Repartet NSH Fier dhe Shkodër. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano u shpreh se vlera totale e pajisjeve të dhuruara për RENEA-n, është në total 344.464 euro.
“E vlerësoj me rëndësi të veçantë këtë ceremoni, pasi nga sot, disa automjete të reja e të kompletuara me pajisje speciale për Njësinë e Negocimit dhe Njësinë Antieksploziv, pajisje mjekësore e uniforma speciale, me vlerë totale mbi 344 mijë euro, do të jenë në përdorim të Repartit Special RENEA dhe të Reparteve të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Pa asnjë hezitim evidentoj se shteti gjerman, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme Federale dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri, është bërë mbështetës dhe partner tepër i rëndësishëm i Policisë shqiptare, në përmbushjen e misionit të saj. Bashkëpunimi është shtrirë në fusha të ndryshme, si trajnime, asistencë teknike, mjete transporti, pajisje e materiale të ndryshme për Policinë Kriminale, Kufirin dhe Migracionin, Forcat Speciale etj.
Është rasti të shpreh edhe një herë falënderimet për ndihmën e pakursyer dhe mbështetjen që na ka dhënë Ministria e Brendshme e Gjermanisë dhe Ambasada Gjermane në Shqipëri, me mjete e pajisje për strukturat e Policisë Kriminale, të Policisë së Kufirit e Migracionit dhe së fundi për Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë”,-tha Nano.