Gjermania ndëshkon Ramën. Ministri për Europën: Në dhjetor nisim negociat me Maqedoninë e Veriut
Gjermania, vendi që mban Presidencën e radhës së BE, deklaron se në muajin dhjetor do të nisin negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut. Lajmi është dhënë nga Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, gjatë analizës për drejtimin e BE nga Gjermania. Ajo që bie në sy në deklaratën e Roth është se negociatat me Shqipërinë nuk përmendet në asnjë rresht të qëndrimit të tij.
Kjo deklaratë konfirmon sinjalet që erdhën nga vizita e Edi Ramës pak ditë më parë në Berlin, që Gjermania e ka ngelur në klasë qeverinë “Rama”.
Radio Europa e Lirë Raporton se ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, duke folur për punën e presidencës gjermane në Bashkimin Evropian, tha të martën para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian se BE-ja “duhet të angazhohet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor”. Ky rajon është “oborr i brendshëm i BE-së, e jo oborr i jashtëm”, tha Roth. Ai kërkoi që BE-ja ta dëshmojë përkushtimin e saj në përmbushjen e premtimeve ndaj vendeve të këtij rajoni, duke thënë se perspektiva evropiane e tij është e domosdoshme për paqe dhe stabilitet. Roth konfirmoi se presidenca gjermane e BE-së është duke punuar për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut para fundit të muajit dhjetor të këtij viti. Ai kërkoi që vendet anëtare të mos paraqesin kushte shtesë ndaj Shkupit, duke aluduar këtu në disa kërkesa të Bullgarisë që në kornizën negociuese të përfshihen edhe disa çështje dypalëshe. Bullgaria ka kërkuar që fqinjësia e mirë midis saj dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet po ashtu pjesë e kritereve në procesin e negociatave.
Në nisje të presidencës gjermane objektivi për integrimin ishte procesi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë vitit 2019 Gjermania ishte vendi kryesor i BE që loboi që dy shtetet e Ballkanit të mos ndaheshin gjatë procesit të negociatave. Për këtë qëllim ju kërkua qeverisë “Rama” plotësimi i 15 kushteve deri në konferencën e parë ndërqeveritare. Mazhoranca socialiste jo vetëm nuk plotësoi kushtet, por përkeqësoi situatën me ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe rrëzimin e marrëveshjes politike të 5 qershorit. Aktet e fundit të PS, si dhe mos plotësimi i kërkesave që lidhen me luftën ndaj krimit, ndëshkimin e manipuluesve të votave dhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, kanë bërë që Shqipëria të hiqet nga axhenda e integrimit për presidencën gjermane të BE.
Lexoni edhe: