Gjermania përshëndet ngritjen e SPAK: Lufta kundër krimit, çelës për integrimin në BE
Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Gjermania e ka përshëndetur betimin e tetë prokurorëve shqiptarë që do të përbëjnë Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Në një deklaratë të bërë sot, ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf u shpreh: “Përshëndes betimin e tetë prokurorëve të strukturës speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).
Nisja e veprimtarisë së SPAK-ut shënon një hap tjetër të rëndësishëm të reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shqiptar të drejtësisë. U uroj prokurorëve të SPAK-ut shumë forcë dhe energji për këtë detyrë të rëndësishme.
Lufta e konsoliduar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër çelësat për progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit në BE. Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë si një partner i ngushtë i saj.”