Gjermeni në Fier: Do të mbështesim projektet që i japin zhvillim qytetit

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni vizitoi sot qytetin e Fierit ku inspektoi 8 projektet e zbatuara dhe ecurinë e punimeve të atyre që po zbatohen në Fier, me financimin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve për vitin 2014 dhe 2015.

Së bashku me kryetarin e Bashkisë Fier, Armando Subashi fillimisht ministrja Gjermeni ka inspektuar punimet në rrugën “Muharrem Agolli” (pedonale) e më pas vendin ku do të ndërtohet Parku Qëndror i qytetit, për ta mbyllur këtë vizitë në Fier me projektin e përfunduar disa muaj më parë të Bulevardit kryesor “Jakov Xoxa”.

“Bashkia Fier është dhe një nga 5 bashkitë e përzgjedhura për t’u asistuar financiarisht dhe teknikisht nga Programi i USAID për Qeverisjen Vendore për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Të angazhuar për t’i dhënë dritë dhe frymëmarrje qendrave urbane, ne do të nxisim edhe më tej rritjen e investimeve publike në infrastrukturë urbane, mbrojtjen dhe promovimin e atraksioneve turistike dhe mbi të gjitha fuqizimin e rolit të komunitetit, si kontribuesit kryesor të zhvillimit të çdo qyteti”, u shpreh ministrja Gjermeni.

Kryebashkiaku i Fierit, Subashi tha për gazetarët se në këtë qytet kompanitë e ndërtimit mund të aplikojnë për leje ndërtimi, duke i dhënë biznesit në këtë sektor një frymemarrje të re që ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Reforma e re administrative i jep Bashkisë Fier një dimension të ri atë të funksionimit ekonomik dhe administrativ, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar të të gjithë territorit që ka nën administrim Bashkia e re mbas reformës territorial. Në këto dy vite, Bashkia Fier nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, tashmë një instrument financiar, tërësisht funksional ka përfituar rreth 1 miliard e gjysëm lekë për zbatimin e tetë projekteve të infrastrukturës urbane.

Në vitin 2014 me financim të FZHR u financua zbatimi i projekteve: “Rikonstruksioni i Bulevardit “Jakov Xoxa”, (i përfunduar,) dhe rruga lidhëse midis një grupi fshatrash (Mbyet, Pluk, Krraps, Lalar) me një vlerë totale investimi në mbi 586 milion lekë).

Për vitin 2015 u financua zbatimi i katër projekteve me një vlerë totale investimi në mbi 385 milionë lekë, nga të cilat një është projekti i rikualifikimit urban të rrugës “Muharrem Agolli”. Ky project do t’i japë një tjetër fizionomi dhe impuls të ri zhvillimit urban të qytetit duke ofruar më shumë hapësira të gjelbra dhe më shumë hapësira publike për qytetarët.

Rikonstruksioni i rrugëve “Adë – Frakull e vogël”, “Levan – Shtyllas” dhe “Kthesa e Bishanit – Bocovë – Bashkim” janë tre projekte të infrastrukturës vendore në funksion të qytetarëve dhe fermerëve. Në mbledhjen e fundit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve u miratuan dhe dy projekte të reja për Fierin me një vlerë totale investimi rreth 537 milionë lekë. Konkretisht u miratua rikonstruksioni i rrugës “Mujo Ulqinaku” dhe rehabilitimi i fasadave të saj me vlerë 246 173 029 lekë dhe rikonstruksioni i rrugës Agim – Ndërmënas – Hasturkas njësia administrative Libofshë, me vlerë 281 753 817 lekë.

SHKARKO APP