Gjici reagon pas incidentit: Mziu nuk frikëson më askënd

 

Kandidati i ASHE, Safet Gjici ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Paskuqan. Ai e quan incidentit panik të humbësve, teksa ka thënë se protagonistë të ngjarjes janë gjithmonë janë aktivistët e PD-së.

"Në panik nga humbja e zgjedhjeve në datën 21 qershor, i dënuari me vendim gjykate për vjedhje të fondeve publike, Xhelal Mziu, ka vrapuar sot të akuzojë kandidatin e ASHE, Safet Gjicin dhe shtabin e tij për një incident të ndodhur në Paskuqan, ku protagonistë si gjithmonë janë aktivistët e PD.

Kandidati i ASHE dhe shtabi i tij, distancohet dhe dënon këtë ngjarje dhe çdo akt tjetër dhune, të cilitdo krah politik. Xhelali të marrë përgjegjësitë për sherret që bën me ish miqtë e tij. Të heqë dorë nga provokimet. Fushata zgjedhore duhet të jetë e qetë dhe të shpalosen programet, pa harruar se koha kur Xhelali mbushte kutitë ka marrë fund.

Sot në Paskuqan ka pasur një konflikt mes anëtarëve aktual të PD dhe ish kryetarit të PD për Paskuqanin. Konflikt i cili më pas ka degraduar dhe në nxjerrjen e armëve. Fakti që përplaset edhe me ish drejtues të PD të Paskuqanit tregon se Xhelalit i ka humbur qetësia. Theksojmë se asnjë anëtar, simpatizant dhe mbështetës i kandidatit të ASHE, Safet Gjici dhe PS, nuk është i përfshirë në këtë incident. Gjithçka ka ndodhur si pasojë e frikës dhe panikut që ka mbërthyer kryetarin në ikje të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziun, i cili prej disa ditësh ka filluar presionet dhe kërcënimet ndaj votuesve. Pjesë e këtij presioni ka qenë edhe personi i përfshirë në incidentin e sotëm, L. L, i cili prej disa ditësh është kërcënuar personalisht dhe familjarisht nga njerëz të afërt me hajdutin Xhelal Mziu për arsye se prej kohësh kishte deklaruar që nuk mbështeste më Xhelalin dhe modelin e tij të shkatërrimit. Doktori i shkencave në vjedhje nuk mund të tolerojë më largimin e askujt prej anëtarëve të PD, pasi çdo ditë e më shumë po lihet vetëm në godinën nga e cila do ta shporrin vetë qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit në 21 qershor.

Qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit e kanë marrë tashmë vendimin e tyre për zgjedhjet e 21 qershorit. Ata nuk mund të blihen me thasë mielli, apo para të shpërndara në zyrat e Bashkisë Kamëz. Ata do ti thonë jo njëherë e përgjithmonë modelit të hajdutit dhe të të fortit në krye të Bashkisë, më 21 qershor, ku do të zgjedhin alternativën e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Xhelal Mziu sot nuk frikëson më askënd dhe jo më të kërcënojë dhe blejë me votë qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. Ky model ka dështuar që në 23 qershor të 2013, për t’u zhdukur njëherë e mirë të dielën. Këto janë përpëlitjet e fundit të të mbyturit që do të kapet pas fijes së barit, por nuk ka asgjë që mund ta shpëtojë.

Të dashur bashkëqytetarë, bëni durim. Edhe 5 ditë dhe Bashkia e madhe e Kamzës do të nisë rrugën e zhvillimit në drejtimin e duhur, për më shumë shërbime dhe punësim. Edhe 5 ditë dhe ju nuk do të jeni më peng i një hajduti me vendim gjykate. Më 21 qershor i japim fund banditizmit në krye të Bashkisë"

SHKARKO APP