Gjiknuri dhe Llatja: Votoni për kandidatin dhe këshilltarët socialistë, zhvillimi i Elbasanit të mos jetë peng i votave

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri deklaroi se Elbasani më 14 maj do të shkëputet përfundimisht nga e shkuara për të ecur përpara. Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të lagjes ”Aqif Pasha”, Gjiknuri u shpreh se qytetarët e Elbasanit do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur. “Në 14 maj kemi një mundësi të ndahemi njëherë e mirë nga e shkuara, ti çojmë në koshin e historisë ata që mbarë bota thotë se i përket të shkuarës; të çimentojmë lidhjen qeveri dhe bashki të Partisë Socialiste. Na gjykoni si ekip me qëllim që edhe të kërkojmë llogari më shumë. Duan të na kthejnë mbrapa, por ne s’kemi kohë për të humbur prandaj në 14 maj t’i themi pro të ardhmes, pro zhvillimit, pro Gledit dhe pro Partisë Socialiste”, tha ai.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se zgjedhjet do të çimentojnë dhe bashkëpunimin mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të vijuar me investimet dhe transformimin e qytetit. Ai theksoi se kandidati përballë përfaqëson të shkuarës, sikurse Berisha dhe Meta. “Në 14 Maj e çimentojmë dhe njëherë më mirë marrëdhënien Parti Socialiste në Bashki – qeveri e Partisë Socialiste. Alternativa që kemi përballë është alternativë boshe. Shikojeni me vëmendje paraqitjen e kundërshtarit. Del në media, i thonë ore çfarë kandidati je ti? A je i koalicionit Berisha – Meta? Në fletën e votimit po të shikoni “BF” – Ilir Meta, poshtë Luçiano Boçi. Kjo është fleta e votimit. Ata përfaqëson ai, ata e kanë përzgjedhur. Është nënkryetar i Sali Berishës. Kur i thonë mediat, thotë – jo unë jam i qytetarëve. Po ashtu kishe dalë i pavarur ti. Ti je këtu kandidat i Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe do zbatosh politikat e tyre. Çfarë politike kanë ata? Po morëm bashkinë thonë, do fillojmë përmbysjen e madhe, përmbysjen e qeverisë. Do eksportojmë revolucionin e Tiranës në Elbasan. Sali Berisha përfaqëson të shkuarën”, shtoi më tej Gjiknuri.

Teksa vlerësoi kryebashkiakun Gledian Llatja për punën e bërë këto 4 vite, Gjiknuri tha se ai do të vijojë të ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë. Drejtuesi politik i PS për qarkun Elbasan u shpreh se opozita ka filluar të përgatisë alibinë e humbjes së radhës, pasi të gjitha sondazhet tregojnë se PS është fituese. “Sondazhet e nxjerrin humbës, qytetarët nuk i përgjigjen, e shikojnë që nga ana elektorale nuk mund të avancojnë dot, kanë ngecur në vend. Unë e kisha paralajmëruar para disa ditësh, këta që janë shokë shoqe partie ua kanë thënë e kanë dëgjuar, i thashë 10 ditëshin e fundit do fillojë ciklin e fundit të fushatës. Cikli i fundit akuza po na vjedhin. Pa pikë turpi doli Flamur Noka, i deleguar për Elbasanin, tha po blihen votat, kanë dalë drejtorët po vjedhin vota. Cikli i vjedhjes. Përgatitja e alibisë së humbjes. Ne nuk kemi nevojë fare as për të blerë vota se ne kemi vullnetin e qytetarëve. Sondazhet na tregojnë fitues dhe qytetarët na përgjigjen. Kështu që ai thjesht po përgatit alibinë e humbjes”, deklaroi Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve shprehu rëndësinë e votimit dhe për anëtarët socialistë në Këshillin Bashkiak që bashkia të mos mbetet peng. “Në 14 maj përveçse do konfirmojmë drejtimin nga Partia Socialiste të bashkisë dhe çimentimin e marrëdhënies qeveri – bashki, ne do ti japim notë dhe vlerësim edhe politikave të qeverisë Rama, politikave të Partisë Socialiste. Ne në 14 maj nuk votojmë vetëm për kryetarin e bashkisë, kemi dhe listën e Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak duhet të jetë krah dhe mbështetje i kryetarit të bashkisë, por dhe llogaridhënie njëkohësisht. Është e rëndësishme që vota të shkojë te Partia Socialiste. Nuk ka pse Gledi të mbahet peng nga këshilltarët që vijnë për interesa lokale aty, për interesa të vogla duke lënë mënjanë interesat më të mëdha të qytetarëve. Prandaj them mos e shpërdoroni votën kot”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja nënvizoi se një vëmendje të veçantë në këto 4 vite ka marrë dhe transformimi i lagjeve të vjetra të Elbasanit. “Lagjet e vjetra të Elbasanit kanë pësuar një transformim të vazhdueshëm gjatë të kësaj periudhe, por nevojitet akoma më shumë punë. Për fasadat e pallateve me termoizolim, për investimet që kërkohen për ujin e pijshëm, kërkohet akoma më shumë për të dhënë një infrastrukturë modern por edhe një ekonomi të qëndrueshme të Elbasanit. Ne kemi 4 vieë që kemi punuar, kemi asfaltuar mbi 100 mijë m2 asfalt në vit. Tani në këtë mandat të ri ne po bëhemi gati për një nga projektet më të mëdha që kemi në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe gjermane, një projekt prej 15 milionë eurosh për rinovimin e infrastrukturës së ujit të pijshëm. Ne po urbanizojmë Elbasanin, jo vetëm lagjet e vjetra port ë gjitha lagjet e Elbasanit. I gjithë Elbasani është një kantier I hapur, duke filluar që buzë Shkumbinit, për shëtitoren e re, automotoparkun, rrugën e re të varrezave për të përfunduar të Theofan Popa që është në lagjen më periferike që kemi në “Haxhias””, tha Llatja duke siguruar se këtë mandate të ri do të bëhen 4 herë më shumë punë të mira.

“Ne duam që këtë mandat të mbyllim problemet që kemi me infrastrukturën në Elbasan. Duam të mbyllim zonat informale. Ne po shohim zhvillimin ekonomik të qytetit, prandaj duam, bashkë me kryeministrin Rama, ta bëjmë kalanë e Elbasanit një qendër turistike fantastike. Prandaj po e zhvillojmë shëtitoren buzë lumit Shkumbin, që jo vetëm të rinjtë por edhe të moshuarit të shëtisin në ajër të pastër”, theksoi Llatja.

SHKARKO APP