Gjiknuri i përgjigjet opozitës për modelin italian të koalicioneve

Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri ka reaguar pas konferencës për mediat që zhvilluan sot Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së. Këta të fundit e akuzuan mazhorancën se po synon të kalojë në mënyrë të njëanshëm dhe pa konsensus Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa treguan për mediat një model koalicionesh të njëtë me vendin tonë, të cilin sipas tyre e aplikon shteti fqinj i Italisë.

”Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura”, shkruan Gjiknuri.

Ai shton më tej se opozita e bashkuar po tenton t’i hedhë hi syve publikut, dhe qëllimi kryesor sipas Gjiknurit është pengimi dhe zvarritja e mëtejshme e procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

”A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati”, thotë Gjiknuri.

SHKARKO APP