Gjiknuri inspekton argjinaturën mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin: Transformim rrënjësor

Përmbyllet faza e dytë e punimeve përgjatë lumit Shkumbin, ku ngritja e argjinaturës mbrojtëse përveçse shmang përmbytjet ka sjellë përftimin e një sipërfaqeje e cila është kthyer në një shëtitore dhe ambiente çlodhëse për qytetarët. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Kastriot Gurra, inspektuan argjinaturën e re e cila ka sjellë një transformim rrënjësor të zonës.

“Në fakt unë kam qenë dëshmitar i progresit të këtij projekti. Siç e shikojmë është një transformim rrënjësor; e ka ndryshuar peizazhin e qytetit. Kur vjen dhe e shikon pasi përshkruan këtë rrugë të gjatë shumë të bukur, vura re se shumë qytetarë të Librazhdit e vizitojnë, me ambiente komplet të reja sportive, të bind se ky investim ja vlen. Kjo i jep një bukuri të jashtëzakonshme Librazhdit. Është një nga ato vepra që ata që ikin nga Librazhdi mund të ndjejnë zili. Ata që e shohin për herë të parë kanë dëshirë ta vizitojnë. Gjithkush që e viziton do të shikojë që Librazhdi ka një shëtitore për qytetarët dhe ambiente sportive që e shoqërojnë”.

Gjiknuri që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan, shprehu angazhimin e tij që edhe pjesa tjetër e investimit të vijojë.

“Unë e marr angazhim që do të bëj gjithçka, që edhe pjesa tjetër e investimit të vazhdojë. Ky është një investim me dy funksione. Pra, jo vetëm mbron tokat nga përmbytja, por kthen këtë territor në ambiente çlodhëse. Ku ka më mirë sesa të rinjve dhe të rejave të qytetit ti ofrohen këto mundësi në këtë klimë të mrekullueshme. Realisht thashë me shumë sinqeritet që gjithkush që është larguar e sheh me nostalgji dhe do të kthehet prapë këtu”.

SHKARKO APP