Gjiknuri: Me PD në pushtet, Vlora zhduket nga harta e investimeve
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me banorët e Rajonit nr.1, njohur si zona e ish- Fabrikës së Çimentos. Gjatë viteve të fundit, në këtë zonë ka patur investime të shumta duke e ndryshuar dukshëm imazhin e mbartur ndër vite si ndër më problematiket për sa i takon infrastrukturës.
“Zona ka njohur investime të cilat e kanë ndryshuar standardin e jetesës së banorëve. Ju jeni vet dëshmitar se si ka qenë kjo zonë, por në këtë mandat të tretë qeverisës janë të shumta projektet të cilat do ta transformojnë tërësisht zonën e Ish- Fabrikës së Çimentos, si vijimësi e punëve konkrete që kanë nisur”, theksoi Gjiknuri.
Sipas tij, rehabilitimi i aksit rrugor që të çon drejt Ish- Fabrikës së Çimentos ka lehtësuar së tepërmi edhe punën e të gjitha bizneseve që operojnë në këtë zonë.
“Instalimi i ndriçimit në të gjithë bllokun e banimit është një investim i cili po i jep fund errësirës totale gjatë orëve të mbrëmjes që pushtonte të gjithë zonën. Është parashikuar edhe realizimi i projektit infrastrukturor për zonën industriale, aty ku operojnë shumë biznese prodhimi, një investim rrënjësor në sistemin e kanalizimeve, rrjetin e ujësjellësit, gjelbërim dhe ndriçim të gjithë zones”, nënvizoi Gjiknuri.
Teksa bëri thirrje për një votë masive në mbështetje të Partisë Socialistë në 25 Prill, Gjiknuri tha se vota duhet të jetë përtej partive politike, duke mos u joshur nga premtimet e jashtëzakonshme, por duke u bazuar në punë konkrete, në gjithçka të bërë deri më tani.
“Vota për Partinë Socialiste është votë për familjet tuaja, është shpërblim ndaj Kryeministrit Edi Rama i cili është i vetmi që çdo premtim të dhënë për Vlorën e ka bërë realitet. Vlonjatët janë dëshmimtarët konkretë të regresit që mund të sjellë Partia Demokratike nëse merr drejtimin e vendit. Me të djathtën në pushtet, jo vetëm që Vlora nuk do të figurojë në hartën e investimeve por gjithçka e nisur do të kthehet në regres. Ne kemi vërtetuar që jemi të vetmit me ju dhe për ju, për zhvillimin e mëtejshëm të Vlorës dhe të çdo zone ku domosdoshmërisht duhen investime infrastrukturore. Vota për Partinë Socialiste, mbështetja juaj masive, është e vetmja siguri për të bërë realitet vijimin e trasformimit rrënjësor të Vlorës për të vijuar t’I kthejmë të gjithë qytetit dhe lagjeve periferivke lavdinë që Partia Demokratike ia mohoi për vite të tëra”, u shpreh Gjiknuri.
Banorët e zonës së Ish- Fabrikës së Çimentos duke shprehur mirënjohjen e thellë për çdo punë konkrete të bërë në Vlorë në këto dy mandate qeverisëse të Partisë Socialiste pohuan se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që e ka faktuar me punë konkrete programin e vet qeverisës.