Gjiknuri: Ndryshimi i kahjes politike sjell bllokimin e çdo investimi në Vlorë
Kafen e mëngjesit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri e konsumoi me banorët e Rajonit 5, në zonën e njohur si ish-shtëpia e oficerave. Teksa dëgjoi problematikat që kërkojnë zgjidhje, Gjiknuri kujtoi punën e bërë për trasformimin e zonës, e cila ka patur disa investime të rëndësishme gjatë dy mandateve të para të qeverisjes së Partisë Socialiste. Investime që Gjiknuri theksoi se do të jenë edhe më të shumta në këtë mandat të tretë i cili do të përqëndrohet në rikualifikimin urban të lagjeve dhe zonave informale të qytetit.
Gjiknuri u ndal tek alternativat e tjera politike që po u serviren vlonjatëve përmes premtimeve të shumta, të cilat mbeten vetëm premtime elektorale që asnjë vlonjat nuk i beson. Sipas Gjiknurit se vlonjatët i kanë provuar të gjitha alternativat e tjera që jo vetëm nuk kanë bërë asgjë për Vlorën por përkundrazi e morën peng zhvillimin e Vlorës duke e lënë në kaos për vite me rradhë.Të njëjtën gjë do të bëjnë nëse vijnë në pushtet.
“ Vlonjatët janë të lodhur nga trazirat dhe sjellja indiferente që kanë treguar ata politikanë që sot kërkojnë votën tuaj. Kryeministri Rama ishte i vetmi që e tregoi përmes fakteve konkrete vlerën që Vlora ka për të”, theksoi Gjiknuri.
Sipas tij, puna e nisur dhe vazhdimi i çdo investimi mbetet sfida kryesore për të gjithë ne.
“Puna e nisur duhet të vijojë. Nëse vjen në pushtet Partia Demokratike, gjithçka e nisur do të mbetet në mes. Unë personalisht zotohem që për zonën tuaj të siguroj investime infrastrukturore për t’ju kthyer juve atë mungesë vëmendje që keni patur ndër vite. Është kjo arsyeja përse zgjodhja vet që në zgjedhjet e 25 Prillit të jem përfaqësuesi juaj duke ju premtuar se do të jem një zë i fortë për të zgjidhur shqetësimet tuaja si banorë të zones, duke kërkuar vazhdimisht investime për Rajonin 5. Ashtu siç në këto dy mandate zgjidhëm problemin e rrjetit energjitik në zonën tuaj, ashtu jemi po ne, të vetmit që do të sigurojmë investime të mëtejshme në rrjetin e ujësjellësit dhe në rehabilitimin e plotë të akseve rrugore, në mënyrë që edhe zonat informale të Vlorës të ofrojnë kushte bashkëkohore njësoj si qendra e qytetit që është transformuar rrënjësisht, duke ofruar potenciale të shumta zhvillimi, ashtu siç një qytet bregdetar duhet të ofrojë për të afruar sa më shumë turistë të huaj”, u shpreh Gjiknuri.
Mbështetja juaj ndaj Partisë Socialiste, tha ai, përkthehet në mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të Vlorës, si një garanci për të ardhmen e fëmijëve tuaj.
“Kryeministri Rama është i vetmi që ashtu siç e nisi transformimin e Vlorës, do ta çojë deri në fund misionin e nisur për Vlorën dhe me Vlorën. Mirënjohjen ndaj Kryeministrit Rama vlonjatët më 25 Prill do ta tregojnë përmes votës masive për Partinë Socialiste”, deklaroi Gjiknuri.