Gjiknuri: Në 25 Prill marrim 9 mandate në Qarkun e Vlorës
Kanina ishte ndalesa e rradhës e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri. Shoqëruar nga deputeti aktual Fate Velaj, Gjiknuri takoi banorët e Kaninës si pjesë e njësisë administrative Qendër Vlorë. Në fjalën e tij deputeti Velaj theksoi se në këtë 8- vjeçar të mandatit të Partisë Socialiste, fshati Kaninë ka patur investime të cilat e kanë përmirësuar jetesën.
“Për herë të parë u zgjidh problemi i mungesës së energjisë elektrike, problematikë e mbartur ndër vite, investim i cili u mundësua nga Damian Gjiknuri. Në rrugëtimin tim si deputet i zonës realizuam disa objektiva të cilat ndikuan padiskutim në zhvillimin e mëtejshëm të Kaninës, si një pikë turistike me prespektivë për zhvillimin e turizmit, për vet resurset natyrore që fshati Kaninë ofron”, u shpreh Velaj.
Ai tha se pavarësisht faktit se nuk rikandidon për një mandate tjetër, do të jetë në mbështetje të skuadrës fituese të Partisë Socialiste, me besimin se do të vijojë puna për çdo projekt të nisur.
“Duke i dhënë Partisë Socialiste mandatin e tretë, të gjithë banorët e Kaninës bëhen mbështetës të vazhdimit të rrugëtimit të nisur, për më tepër investime infrastrukturore, ashtu siç Kanina e meriton. Partia Socialiste është e vetmja alternativë që premtimet i konkretizon në investime. Me votën tuaj ju siguroni prespektivën e familjeve dhe të fshatit Kaninë”, theksoi Velaj.
Në fjalën e tij Gjiknuri pohoi se mandat i tretë i Partisë Socialiste do të fokusohet në veçanti në zonat rurale, aty ku programi i qeverisë ka parashikuar investime të shumta infrastrukturore, për t’i kthyer banorëve të fshatit Kaninë standartin e jetesës ashtu siç e meriton historia dhe lavdia e vet fshatit.
“Jam krenar që do të përfaqësoj në Parlament edhe banorët e Kaninës, si një zë i fortë për shumë më tepër investime për këtë zonë. Investimet e vazhdueshme në Vlorë në këto dy mandate qeverisëse, aq sa nuk janë bërë për dëkada të tërë, janë tregues real i faktit se Vlora është kthyer në polin më të rëndësishëm të investimeve në Shqipëri. Investimet madhore prej një milliard euro në Qarkun e Vlorës janë vijimësi e projektit politiko-ekonomik që Kryeministri u zotua që në marrje të mandatit të tij qeverisës. Gjithçka e nisur duhet të vijojë, që të mos kthehemi në regres. Duhet të çojmë në fund atë që kemi nisur. Me ekipin përfaqësues ne do të sigurojmë jo 8 mandate por 9 mandate, duke patur përfaqësimin më të madh për Partinë Socialiste në parlament”, nënvizoi Gjiknuri.
Sipas tij, me investimet madhore, punët e mira dhe tanimë veprat konkrete, vota për Partinë Socialiste është një borxh i të gjithë vlonjatëve ndaj kryeministrit Rama.
Gjiknuri theksoi se në këtë mandate të tretë, ai si përfaqësues i banorëve të Kaninës do të jetë mbështetje për investime në zonë.
“Edhe Kanina, përmes votës për Partinë Socialiste e ka shansin për zhvillim të mëtejshëm, pasi projekti politik- ekonomik për Vlorën do të përfundojë me zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të fshatrave. Ashtu siç u realizua investimi madhor i rrugës së Kaninës, e cila i mundësoi perspektivë të mëtejshme zhvillimit turistik, apo edhe investimi për rrjetin elektrik, në këtë mandat të tretë qeverisës do të zgjidhet problem i ujit, përmes projektit të ujësjellësit si dhe problematikat e pronave në të gjithë zonën. Jam i bindur se ju do ta reflektoni mbështetjen tuaj përmes votës për Partinë Socialiste, të vetmes forcë politike që i konkretizon programet politike në punë, investime dhe vepra reale. Vota për Partinë Socialiste është garancia për të cuar para projektet e nisura”, pohoi drejtuesi politik Damian Gjiknuri.