Gjiknuri: Qeveria po bën gjithçka për të mbrojtur konsumatorin nga rritja e çmimit
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri deklaroi se qeveria shqiptare po bën çdo gjë për të mbrojtur buxhetet familjare nga kriza e çmimeve që ka prekur gjithë botën. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Gjiknuri theksoi se pavarësisht situatës botërore si pasojë e luftës në Ukrainë, buxheti i shtetit është ai që kompenson të gjithë efektet e çmimit të energjisë.
“Kjo fashë sot është e përkohshme për një periudhë shumë të kufizuar që lidhet me një krizë. Nuk ka për qëllim të ngarkojë konsumatorin. Në Shqipëri kjo krizë nuk po ndjehet te buxhetet familjare kriza. Dhe të gjithë riskun, e mban buxheti i shtetit. Buxheti i shtetit është ai që kompenson të gjithë efektet e çmimit të energjisë. E kemi bërë vetëm e vetëm që ti vijmë në ndihmë konsumatorit, të mbrojmë biznesin prodhues. Këtë kosto e ka mbajtur buxheti i shtetit dhe qeveria. Përse? Në mënyrë që të mbajë veprimtaritë prodhuese hapur dhe të mos kemi një krizë më të madhe ekonomike. Këto janë masa sociale. Janë masa që na kushtojnë por që shkojnë në dobi të konsumatorëve”.
Po ashtu Gjiknuri nënvizoi gjatë fjalës, edhe se ishte pikërisht qeverisja demokratike ajo që falimentoi sektorin energjetik shqiptar.
”Të flasë Partia Demokratike për temën e energjisë është si të flasë varrmihësi për shëndetin e kufomës. Këtë e kam për Saliun sepse ai qe varrmihësi i sektorit energjetik. Unë kam pasur rastin ta përjetoj sepse më qëlloi të isha ministër në atë kohë kur dorëzuat qeverinë dhe pashë sesa thellë e kishit futur ‘kufomën energjetike’ në varr dhe sesa mund u desh për ta ngjallur atë. Ju zotërinj nuk duhet të flisni për energjinë sepse gjysma energjisë në kohën tuaj, vidhej dhe humbej. Ju e shitët sektorin energjetik. Ju e falimentuat OSHEE, CEZ-in e asaj kohe. Kur flisni për çmime dua t’ju them disa fakte që mbase koha ka bërë që njerëzit ti harrojnë por dua ti kujtoj. Ju që mburreni për fashat e energjisë, ju jeni ata që e futët fashën e energjisë. Ju jeni ata që e rritët çmimin e energjisë nga 4.4 lekë në 7 lekë. Kur e privatizuat fashën e latë 13.5. Dhe e dini sa ju dilte çmimi mesatar?, ju dilte 9.7 lekë”.