Gjiknuri sqaron procesin për votën e emigrantëve: Do të udhëhiqet nga KQZ

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, është shprehur sot se në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar edhe vota e emigrantëve.

Në takimin online me këshillin koorodinues të diasporës, Gjiknuri theksoi se çështja e votës së emigrantëve është përfshirë në proces.

Gjiknuri u shpreh se për shkak të situatës me opozitën jashtë parlamentare mosbesimi ka qenë i lartë. Më tej ai shtoi se çështja e votës së emigrantëve duhet trajtuar me kujdes.

Gjiknuri sqaroi se në mënyrë që një emigrant të gjenerohet në listën e zgjedhësve, duhet të regjistrohet në regjistrin e gjendjes civile, e më pas nëpërmjet një akti të KQZ, do ketë mundësi që votën ta hedhë nëpërmjet postës.

 “Nuk është ideja të vendosësh një koncept, por si ta zbatosh atë. Në Kod u sanksionua dhe do jetë KQZ-ja që do udhëheq procesin dhe do të merret me votën e emigrantëve dhe për të bërë aktet nënligjore.

Ne nuk ishim në gjendje të detajonim se si të funksionojë dërgimi i votës me postë. Pra, çdo emigrant i regjistruar në një regjistër, automatikisht do të gjenerohet në listën e zgjedhësve.

E drejta është sanksionuar, duhet që emigranti me banim jashtë vendit duhet të jetë regjistruar në regjistrin e gjendjes civile, infrastruktura është gati dhe elementi që kemi vendosur është që vota do të llogaritet në qarkun e  Tiranës për arsye sepse ashtu funksionin mënyra e regjistrit unik të gjendjes civile. Emigrantët e regjistruar dalin në një listë unike dhe ne menduam që kjo votë të shkojë në qarkun e Tiranës.

Për zgjedhjet e para numri mund të jetë i vogël, por nëse do të mund ta aplikojmë në këto zgjedhje me një numër të vogël do të nxjerrim mësimet tona dhe më pas të shtrihet dhe të hapet diskutimi Kushtetues nëse emigrantët duhet të kenë zonë më vete apo jo. Menduam që meqenëse është listë unike, vota  e tyre të llogaritet në qarkun e Tiranës që ka më shumë mandate”, tha Gjiknuri.

SHKARKO APP