Gjiknuri: Ta kthejmë PS në laboratorin më të madh të ideve, ndryshimet janë të dukshme
Vijon turi i takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit. Shtatë kandidatët e përzgjedhur për fazën finale, Anila Sokoli, Azem Elezaj, Besmir Ramallari, Dëfrim Korbi, Gazmend Hallaci, Klodian Gashi dhe Tigri Braha paraqitën para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Kukës platformat e tyre të kandidimit. Në nisje të takimit, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri tha se përmes një procesi transparent, socialistët do të zgjedhin njerëzit që do i drejtojnë ata për betejat e ardhshme elektorale.
“Vërtet procesi është shumë ndryshe nga ç’është bërë herë të tjera. Pasi shpesh kandidaturat kufizoheshin ngandonjëherë në një ose dy kandidatë të propozuar fatkeqësisht ndonjëherë dhe nga ndonjë kulisë e ngushtë atje. Dhe më shumë reflektonin raportet e pushteteve në bazë se sa interesin për të përbashkuar partinë. Dhe pikërisht me ndryshimet statutore dhe me aktet e reja që nxori kryesia e PS dhe fillimi i këtij procesi, synimin e kishte dhe e ka të nxjerrë sa më shumë në pah individë që kanë kurajon, kanë dëshirën të marrin përsipër të drejtojnë PS. Ky është një proces shumë transparent”, tha ai.
Gjiknuri shprehu bindjen se kryetari i ri që do të zgjidhet do të ketë mundësinë që ta shëndoshë partinë dhe ta përgatisë atë për zgjedhjet e ardhshme. Ai nënvizoi se PS ka të gjitha kapacitetet për të qenë laborator i ideve dhe ku njerëzit ta gjejnë veten si shtëpinë e tyre.
“Jam i bindur do të jetë personi që do të dijë të mbajë derën e partisë të hapur dhe të jetë tamam shtëpia ku anëtarët e PS shkojnë dhe e gjejnë veten si shtëpinë e tyre. Se ky është synimi nga drejtimi i PS. Ne s’duam ta burokratizojmë partinë. Ne duam një njeri, i cili të ndihet atje si njeriu që i pret të gjithë. Njerëzit që duhet të shkojnë të qajnë hallet, të japin sugjerime për përmirësimin e politikave, për problemet lokale, për problemet e qeverisjes qendrore. Pse mos ta kthejmë ne partinë në laboratorin më të madh të ideve. Ne e kemi gjithë ata kuadro, gjithë ata njerëz të angazhuar, qoftë në administrata, qoftë në sektorin privat. Jemi partia më e shëndoshë në këto drejtime. Dhe nëse një kryetar di ta bëjë mirë këtë punë, ai e ka mundësinë që ta shëndoshë partinë dhe ta mobilizojë atë për zgjedhjet që do të vijnë”. Duke e cilësuar qarkun e Kukësit jo të lehtë, Gjiknuri theksoi se socialistët do të arrijnë të fitojnë sërish drejtimin e Bashkisë në zgjedhjet e ardhshme.