Gjiknuri takim me Forumin e Gruas Socialiste në Tegan: Me PS e ardhmja është më e sigurtë se çdo forcë tjetër politike
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me vajzat dhe gratë e Partisë Socialiste në Tegan të Elbasanit për t’i përgëzuar për punën dhe angazhimin e tyre. Në fjalën e tij, Damian Gjiknuri, i cili është njëherësh dhe drejtues politik për qarkun në Elbasan, deklaroi se PS ka treguar një qasje dhe një vëmendje të shtuar ndaj vajzave dhe grave, ç’ka reflektohet qartë dhe në përfaqësimin e tyre në nivele të ndryshme drejtuese.
“Gratë shqiptare vërtetë kanë vuajtur, por janë edhe të forta sepse i kuptojnë më mirë problemet që ka shoqëria. Qeveria socialiste ka bërë gjëra shumë të mira se të gjitha qeveritë e tjera për gratë. Jo vetëm sepse janë pjesë e rëndësishme e administrates, por edhe përmes politikave si përkrahjen e nënave në nevojë. Kjo nisur edhe nga anketimi i fundit që bëmë për rritjen e përkrahjes për nënat me tre fëmijë. Kjo është një politikë e mirë sociale që qeveria socialiste do ta bëjë. Ne nuk e bëmë kot atë konsultim. Qeveria e Edi Ramës po mbështet dhe do mbështesë sa më shumë familjet e nënave me tre fëmijë”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se mazhoranca socialiste është e vendosur për të adresuar të gjithë nevojat e zonës, ndërsa theksoi se Elbasani ka një perspektivë të mirë zhvillimi.
“Ajo që po bën qeveria është adresimi i problematikave më të nevojshme. Elbasani, si e gjithë Shqipëria, po sheh zhvillim. Kushdo që të punojë sot gjen punë. Madje shumë biznese sot vuajnë sepse nuk gjejnë punëtorë. Rrogat do të rriten, do e sjellë vetë tregu. E gjithë zona e llixhave që jemi këtu ka një potencial shumë të madh. Nga të gjitha këto do përfitoni ju. Kemi një qeveri socialiste për t’ju përgjigjur nevojave që ju keni. Unë si përfaqësuesi juaj i Qarkut të Elbasanit do ju përfaqësoj duke parë interesin tuaj. Me Partinë Socialiste e ardhmja është më e sigurtë se çdo forcë tjetër”, tha Gjiknuri.