Gjiknuri takimi me pensionistët e Librazhdit: PS vëmendje për adresimin e nevojave të moshës së tretë

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët e qytetit të Librazhdit ku foli për nismat e ndërmarra nga qeveria dhe vëmendjen e shtuar ndaj kësaj moshe.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan, theksoi se qeveria socialiste ka treguar një fokus të veçantë për të ndihmuar moshën e tretë. “Qeveria ka bërë maksimumin për të adresuar këtë situatë të vështirë duke dhënë paketa të ndihmës ekonomike për adresimin e krizës. U dhanë dy paketa për tre muaj, pra për një periudhë që pati një rritje të çmimeve. Ka ndërmarrë masa për të mbajtur çmimin e energjisë siç ka qenë, pa e rritur. Jo siç ndodhi në vende të tjera. Kjo është e vërteta. Buxheti i shtetit harxhoi vitin e kaluar mbi 500 milion euro vetëm për të kompensuar mosrritjen e çmimit të energjisë. Nga ana tjetër ne mbajtëm dhe premtimin edhe për rritjen e pensionit në bazë të inflacionit”, tha ai.

Gjiknuri u shpreh se dhe shpërblimi i fundvitit dhe paketat e ndihmës janë në dobi të pensionistëve në mënyrë që të përballojnë rritjen e çmimeve si pasojë e luftës.

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u shpreh se këto vendime të qeverisë nuk janë për fushatë, por masa konkrete për të ndihmuar moshën e tretë. Gjiknuri deklaroi se këto akuza po bëhen nga opozita e cila kërkon që të krijojë alibinë për humbjen e radhës që e pret. “Disa thonë tani që po e bëjmë thjesht për fushatë. Nuk është çështja e fushatës. Ka dhe akuza se ata këtë do thonë gjithmonë. Ata vetëm do akuzojnë sepse po përgatisin justifikime për humbjen e radhës. Njëherë thonë na vodhën votat. Tani do thonë i vodhën votat me pensionistët. Gjëra të tilla do dëgjojmë gjithmonë. Ama ajo ç’ka po bëhet është në të mirën tuaj. Shumë shpejt do merrni shpërblimin tjetër i cili do të shpërndahet për pensionistët. Nga ana tjetër së fundmi qeveria ka miratuar dhe një politikë të re shëndetësore për ata që janë me diabet. Tani po bëhen fashat falas. Pra, testimet e gjakut për diabetin do të bëhen falas nga shteti”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve shprehu besimin se PS do të fitojë bindshëm në Librazhd, ndërsa nënvizoi se dyshja Berisha-Meta nuk kanë çfarë t’i ofrojnë më vendit.

SHKARKO APP