Gjikondi: Ligji antishpifje i mbyll gojën mediave
Juristja Brizida Gjikondi e ftuar në emisionin “360gradë” në RTV Ora tha se nëse paketa antishpifje hyn në fuqi mund të mos arrihet më të flitet as për tërmetin.
Gjikondi ngriti dyshimin se u mor pikërisht në këtë moment të vështirë për Shqipërinë me paketën antishpifje për të tërhequr vëmendjen nga tërmeti.
Juristja shtoi se AMA dhe AKEP nuk kanë lidhje me të qenit përmbarues dhe ekzekutues të dënimeve, duke thënë se janë institucione politike.
Ndërsa theksoi se me këtë ligj po bëhen hapa mbrapa për Shqipërinë.
Brizida Gjikondi: “Mund të arrijmë që edhe për tërmetin të mos flasim dot më nëse ky ligj hyn në fuqi. Dua të flas si avokate paketa antishpifje e para nuk ishte momenti i duhur për tu marrë me këtë paketë, me këtë subjekt. Është diabolike, djallëzore që është marrë në këtë moment për të tërhequr vëmendjen nga tërmeti.
E zëmë se nuk është ajo, po ta shikosh strukturat përgjegjëse që do të zbatojnë këtë ligj që janë AMA dhe AKEP nuk kanë lidhje fare me të qenit përmbarues dhe ekzekutues të dënimeve që u jepen mediave të lira që janë në internet. Në të gjithë Evropën portalet ne internet thjesht kanë për detyrë të regjistrohen dhe portali i këtyre të jetë i kontaktueshëm dhe i njohur publikisht. Nëse kryejnë vepra penale mbi to zbatohet kodi Penal. Nuk ka nevojë fare t5ë behet kaq e stërholluar.
Dhe vetë Evropa nuk e ka rregulluar në këtë mënyrë që e kanë rregulluar shqiptarët që shpifja, i bie të jetë subjektive sepse AMA dhe AKEP janë institucione politike, do jenë leva të partisë në pushtet dhe të mendosh që këto dy institucione do gjobisin dhe kontrollojnë mediat online pa pasur një rregullator. Mendoj që është hap mbrapa për Shqipërinë, jo vetëm për fjalën e lirë që e garanton Kushtetuta por edhe për një vend me kaq probleme të korrupsionit e mafias, ku politika është e lidhur me krimin ti të heqësh dhe të drejtën e të folurës. Me këtë ligj po ju heq qenve të drejtën për të lehur.”