Gjikondi për çështjen ”Beleri”: Drejtësia shqiptare të mos heshtë, t’i drejtohet Greqisë me një deklaratë
Juristja enjohur Brizida Gjikondi, thotë se drejtësia shqiptare duhet të dalë me një deklaratë drejtuar Greqisë se është e pavarur. Sipas saj, rasti për Fredi Belerin është një çështje që iu përket institucioneve të drejtësisë dhe nuk ka të bëjë me politikën.
“Drejtësia shqiptare ka struktura shumë serioze KLP, Inspektoriatin e Lartë, të cilët duhet të bënin një deklaratë diplomatike ligjore kundrejt shtetit grek siç bënë edhe strukturat e drejtësisë greke.
Kur patën të njëjtin problem grekët përpara një jave më Kroacinë, të cilët pretendonin se po mbaheshin tifozët e tyre kundrejt çdo shkelje ligji, trupa gjyqësore bënë një deklaratë të fortë kundër kroatëve ku iu thanë se jemi një pushtet i pavarur dhe nuk keni të drejtë të na ndërhyni. E njëjta gjë është edhe në Shqipëri. Kemi një pavarësi pushtetesh.
Unë mendoj që drejtësia shqiptare nuk mund të rri më në heshtje. Ka ardhur një moment që kjo drejtësi të bëjë një deklaratë serioze ligjore drejtuar të gjithë faktorëve të politikës dhe të brendshëm dhe të jashtëm, ku të shprehet që askush nuk ka të drejtë të paragjykojë vendimet e saj dhe të influencojë për vendimet e saj pasi, sipas të drejtave ndërkombëtare ku ne aderojmë, të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Nuk ka Beler që mund të jenë preferencial vetëm sepse e mbron një shtet i caktuar. Duhet të jetë një deklaratë ku garanton se drejtësia është e paanshme dhe nuk mund të ketë influencë ekzekutivi kundrejt vendimeve tona”, theksoi Gjikondi në një intervistë për “Special Report”.