Gjirokastër/ Rritet numri i të prekurëve me Covid-19, janë 21 raste aktive
Tirana është qarku më i prekur nga Covid-19 por në Gjirokastër po shënohet një rritje e numrit të rasteve të reja. Në të gjithë rrethin që përfshin bashkitë e Gjirokastrës, Dropullit dhe Libohovës janë aktive 21 raste, ndërsa 19 persona të tjerë janë të karantinuar si të dyshuar apo si kontakte të rasteve të infektuara.
Spitali i Gjirokastrës shënoi 2 raste të infektuara te personeli sanitar në maternitet, ndërsa disa raste të dyshuara në kirurgji rezultuan negativë. Spitali është në gjendje gatishmërie dhe pezulloi për 24 orë funksionin e dy pavioneve deri në konfirmimin e rezultateve për personelin shëndetësor.
Dy familjarë të personelit shëndetësor të infektuar që rezultuan pozitivë imponuan izolimin edhe të personelit të njësisë së një kompanie celulare si dhe të një skuadre të policisë rrugore. Një mësues rezultoi pozitiv në Libohovë, ndërsa disa raste të dyshuara janë nën karantinë edhe në Dropull.