Gjirokastër, transportonin 12 emigrantë, prangosen 3 persona

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 3” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Transportonin 12 emigrantë të paligjshëm, bien në pranga 3 shtetas (njëri prej të cilëve ishte organizatori), ndërsa 1 shtetas tjetër shpallet në kërkim.

Sekuestrohen 3 automjete dhe 5 aparate celularë.

“Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e FRONTEX-it dhe DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 3”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. T., 38 vjeç, banues në Tepelenë; Sh. M., 26 vjeç, banues në Vlorë dhe A. S., 63 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. I., 33 vjeç, banues në Vlorë.

Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e FRONTEX-it dhe DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, falë punës së mirorganizuar hetimore, në bazë të informacioneve të siguruara se nga qyteti i Gjirokastrës në drejtim të Tiranës po transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjeteve dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve K. T. (organizator i grupit kriminal), Sh. M.(transportues), A. S. (pronari i hotelit), si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. I.(transportues), të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin u kapën duke tentuar të transportonin 12 emigrantë nga vendet e treta, nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës.” – njofton policia.

Këta shtetas kanë tentuar të kryejnë këtë veprimtari kriminale duke transportuar emigrantë të paligjshëm nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, të cilët i strehonin fillimisht në një hotel në Laprakë dhe më vonë i transportonin në drejtim të Malit të Zi, me destinacion final vendet e BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP