GJKKO kërkesë Interpolit për biznesmenët e inceneratorëve, janë arrestuar në ndonjë shtet të huaj
Gjykata e Posaçme vendosi t’i kërkojë interpolit informacion për 3 biznesmenët Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nëse ata janë arrestuar në ndonjë shtet të huaj në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK. Tre biznesmenët akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash në bashkëpunim në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Për këtë dosje nisi gjykimi në themel për 10 të akuzuarit mes të cilëve edhe ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Seanca e parë u mbajt pa praninë e ish-ministrit dhe ish-deputetit të cilët kërkuan që të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre, teksa të pranishëm ishin vetëm disa prej të pandehurve dhe familjarët e tyre.
Por Gjykata dështoi të merrte në shqyrtim kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga disa të pandehur për shkak se munguan disa prej avokatëve dhe vendosi të shtyjë procesin në datën 7 Prill.