Gjoba dhe burg/Lleshaj: Covid-19 ende rrezik, duhet bashkëpunim qytetarë-polici
Do të gjobiten, do t’i mbyllet aktiviteti dhe do të ndiqen penalisht ata që nuk zbatojnë masat kundër përhapjes së Covid-19, ka thënë qeveria. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi, inspektuan disa biznese në Tiranë. Ministri u shpreh se virusi është një rrezik i madh që nuk ka kaluar ende.
”Shohim që ka mobilizim të madh dhe vlen për tu përgëzuar angazhimi i policisë dhe strukturave të shëndetësisë në ndjekje nga afër të zbatimit të masave. Me rëndësi është sensibilizimi i opinionit publik për të kuptuar që virusi është një rrezik real, i cili jo vetëm nuk ka kaluar por ndodhet në një fazë kritike dhe ne na kërkohet vlerësim serioz i kësaj. Nuk duhet të presim që virusi të trokasë tek ne për ta kuptuar rrezikun e tij, por duhet të shohim rrezikun që ka sjellë tek të tjerët, në mënyrë që të marrim masa që mos vijë tek ne. Kur të vijë tek ne është vonë”.
Lleshaj kërkoi bashkëpunim të qytetarëve me policinë për të njoftuar për ata persona që nuk thyejnë karantinën. ”Duhet të lehtësojmë punën e policisë përmes punës së njoftimit. Duhet të njoftojmë policinë për qytetarët që nuk i binden masave nga autoritetet shëndetësore. Është me rëndësi njoftimi i policisë për personat që thyejnë karantinën. Me mjaft rëndësi është koordinimi i përpjekjeve. Duhet që në këtë fazë kritike ta mbajmë situatën brenda parametrave të menaxhueshme”.