Gjoba për maskën/OSHEE: 1480 abonentë të penalizuar, heqim dritat nëse s’paguhet

OSHEE ka nisur vjeljen e gjobave të vendosura për qytetarët që u kapën në rrugë pa maskat anti-covid. Elton Sevrani, administrator i kompanisë së Furnizuesit Universal me Energji, thotë se janë arkëtuar penalitetet për 143 gjobat e para, ndërsa janë në total 1480 abonentë që janë identifikuar se kanë një kontratë me OSHEE-në dhe u ka shkuar gjoba te fatura e dritave.

Policia ka ndëshkuar 65 mijë qytetarë, por 21800 qytetarë nuk rezultojnë të kenë një kontratë të lidhur me kompaninë OSHEE, çka ka detyruar shoqërinë t’i kthejë mbrapsht në polici këto të dhëna. 30 mijë gjoba të tjera janë në proces verifikimi. Sevrani sqaron se penaliteti vendoset në faturë vetëm kur identifikohet emri i shkelësit dhe jo i një anëtari të familjes.

”Gjoba është individuale, pra i jepet veç personit, pra s’ka lidhje me familjen. Ato gjoba që nuk korrespondojnë, ID-ja, të dhënat personale apo nuk ka kontratë për energjinë elektrike kthehen tek policia”,-tha për ”Tv Klan”. Të gjithë ata të cilët nuk do të paguajnë gjobën brenda 60 ditëve, do t’u ndërpritet furnizimi me energji. Deri tani pranë OSHEE-së nuk ka patur ankesa për vendosjen e penalitetit në faturë.

SHKARKO APP