“Gjobat për mediat”/Flet për “Koha Jonë” Erton Sinani, këshilltar për mediat në MD: Drafti për Kodin Penal akoma nuk është finalizuar

Ministria e Drejtësisë deklaron se drafti për ndryshimet në Kodin Penal, ku flitet për gjoba dhe ndëshkime për publikimet në media nuk është produkti final që kjo ministri do të dorëzojë për miratim si projektligj në Këshillin e Ministrave.

I pyetur nga “Koha Jonë” për ndryshimet në Kodin Penal, Erton Sinani, Këshilltar për mediat i Ministrisë së Drejtësisë deklaroi se materialet e publikuara në media për ndryshimet në Kodin Penal janë ende një dokument pune i grupit të ekspertëve.

“Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të ardhura nga gazetarët në lidhje me draftin final të Kodit të Ri Penal, duam t’ju sqarojmë se materialet që po qarkullojnë në media janë ende një dokument pune nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik. Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi.

Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave”,- tha Këshilltari për Mediat në Ministrinë e Drejtësisë.

SHKARKO APP