Gjokona: Sinanaj më tregoi kush ishin babagjyshët që grabitën qendrën tregtare

Gjokona për TEG-un
Në lidhje me vrasjen e biznesmenit nga Durrësi, dua të sqaroj se kjo vrasje mua më është propozuar nga Julian Sinanaj, një ditë pasi kishte ndodhur grabitja e argjendarisë tek TEG-u, në fundin e vitit 2013. Kjo bisedë më është bërë prej tij, gjatë momentit që ndodheshim të dy në një lokal pranë Stacionit të Trenit, Tiranë. Kjo bisedë mori shtysë nga ngjarja e TEG-ut, për ndodhinë e së cilës Juliani ishte bërë keq, pasi mendonte se atë e kishte bërë për rivalitet një ish-shoku i tij që quhej G.. Juliani më tregoi se për këtë ngjarje, organizatorë të saj ishin dy vëllezër nga Elbasani, për të cilët më kishte folur edhe më parë. Në këtë ngjarje, ai pasi kishte parë videon e dhënë nga mediat, kishte njohur zërin e njërit prej autorëve të grabitjes që mendonte se ishte shoku i G. Këtë dyshim e përforconte edhe nga emri i argjendarisë, që quhej “Xhelozia”, ngjarje për të cilën më tregoi se G. e kishte zgjedhur për të sfiduar atë.
Për dy vëllezërit, Juliani më ka treguar se me ta ishte takuar diku në shtator 2013, pranë ambasadës “x”, në një lokal buzë rrugës, ku Juliani kishte qenë i shoqëruar me të fejuarën e tij.
Po ashtu, kam dijeni se Juliani ka komunikuar në telefon me G., në prezencën time, ka lënë takim në Tiranë, ku më ka kërkuar që edhe unë të isha i pranishëm dhe i armatosur, sepse kishte frikë mos i bënin ndonjë kurth, sepse kishin pasur konflikte të vjetra në Greqi.
Në këtë takim unë nuk kam shkuar dhe nuk kam dijeni nëse ajo është kryer ndërmjet tyre, gjë e cila desh më ka kushtuar jetën. Nisur nga ngjarja e argjendarisë së TEG-ut, Juliani e ndiente veten të fyer nga rivaliteti i tyre dhe më kërkoi me domosdoshmëri që ne të dy të bënim një grabitje ose vrasje.
Në këtë takim ai më tregoi se kishte marrë një porosi për të kryer një vrasje. Kjo porosi ishte pikërisht ngjarja për të cilën ai kërkonte të blinte skorpionsin me Albinin (i pandehuri Albin Mexhaj). Juliani më pyeti nëse unë isha dakord të bashkëpunoja me të, duke më thënë “pyete b… mirë, se këtë radhë do të të vras me duart e mia, nuk do të jetë më si herët e tjera”. Kaq më tregoi në këtë takim dhe në ditët në vazhdim gjithmonë më tregonte ndonjë hollësi të re. Më ka treguar se personi që do të vritej ishte nga Durrësi. Për të më kishte thënë se ishte i moshës rreth 55 vjeç, ishte “golaxhi”, person që ua fuste të tjerëve në biznese, që ishte me probleme kardiake, dhe që ai ishte pa familje. /BW

SHKARKO APP